Albini nuk i përgjigjet Kamishit

Published on January 27, 2012 by   ·   No Comments

(E plotësuar) Strategjia e Qeverisë mbetet e njëjta. Pasi që Lëvizja Vetëvendosje! paraqiti dhjetë pyetje legjitime mbi takimet mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, takime për të cilat ka njoftuar “Ëikileaks”, Qeveria ka zgjedhur të mos përgjigjet, por përkundrazi po përpiqet të hedhë mjegull mbi faktet. Dy takimet Thaçi – Tadiç nuk janë mohuar nga vetë Thaçi apo nga Tadiç, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Vetëvendsoje.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, në fillim të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ka shtruar disa pyetjet për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, në mënyrë që ai të përgjigjet për disa kontakte, që sipas tij, ka mbajtur me një grua serbe, e cila, siç thotë ai, ka qenë vajza e njërit prej ministrave të Millosheviqit.

Por, përkundër interesimit të gazetarëve, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, gjatë kohës së pauzës, nuk ka pranuar të komentonte akuzat e deputetit Haxhiu në adresë të tij, ndërsa Vetëvendosje ka zgjedhur mënyrën që akuzave dhe pyetjeve të Haxhiut, t’u përgjigjet përmes një komunikate.

“Natyrisht që fjalët e Bekim Haxhiut nuk kanë asnjë të vërtetë brenda, e kushdo e kupton se përmes këtyre shpifjeve ai kërkon që të heqë vëmendjen prej pyetjeve tona mbi takimin e Thaçit me Tadiçin, personin që disa ditë më parë deklaroi se Kosova është tokë serbe.

Para se t’ia fillojë me shpifje, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, për dallim nga Thaçi, Bekim Haxhiu e pranoi se këto takime kanë ndodhur.

Ne prapë i përsërisim pyetjet tona. Zotëri Thaçi, të ftojmë të mos shmangesh përmes Haxhiut apo të tjerëve, por të përgjigjesh në 10 pyetjet tona, e që janë dhënë sërish në vijim:

1. Ku dhe kur është marrë vendimi që Thaçi të takohet me Tadiçin?

2. Ku dhe kur saktësisht është takuar këto dy herë me kryetarin e Serbisë, Tadiç?

3. Kush tjetër ka marrë pjesë në ato takime, për çka është biseduar, çka i ka thënë Tadiçi Thaçit, e çka Thaçi Tadiçit?

4. Me iniciativën dhe ndërmjetësimin e kujt janë zhvilluar secili prej takimeve?

5. Cilat ishin konkluzionet e takimeve?

6. Çka ka përfituar Kosova nga këto takime?

7. Çka ka përfituar Thaçi nga këto takime?

8. A ekziston transkripti e procesverbali i takimeve dhe nëse po, kush e ka atë?

9. Kë e ka informuar dhe kujt i ka raportuar Thaçi për këto takime?

10. A e kanë ditur kabineti qeveritar, presidenti dhe partia e tij, PDK, për këto takime?”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Seancë akuzash Haxhiu vs Kurti

Seancën e radhës, të Kuvendit të Kosovës, e ka hapur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili duke e akuzuar për dëmet që është duke i shkaktuar vendit, ka kërkuar nga lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, t’i përgjigjej në një mori pyetjesh. Ndërkohë që deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka kritikuar udhëheqjen e Policisë së Kosovës për urdhrat që kanë dhënë për të penguar protestën e 14 dhe 22 janarit.

Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu apo siç njihet ndryshe “Kamishi”, ka kërkuar sqarime nga ai për disa takime, siç pretendon ai, që ka pasur me serbët në komunën e Klinës, pastaj gjësendet që i janë gjetur atij në një rast të ndalimit nga Policia e Kosovës, po ashtu ka kërkuar shpjegim se si edhe pas lirimit nga burgu, Albin Kurtit ka mbajtur korrespondenca me një femër serbe, e cila e kishte vizituar edhe gjatë kohës sa ai ishte në burg.

“Ju zotëri Kurti do të doja që në aspektin më pozitiv të përgjigjeni publikisht në disa pyetje që në fakt janë çështje që deri më tani i keni mbajtur të mbyllura edhe për vete dhe për bashkëpunëtorët e rrethin e ngushtë pa fare transparencë”, ka thënë ai.

Deputeti Haxhiu ka vazhduar të kërkojë sqarime për rastin, sipas tij, të pranimit të një pakoje nga Serbia.

“Më datë 23 shtator 2011, përmes autobusit Beograd- Prishtinë ju keni marrë një korrespondencë pako në zarf që nënkryetari juaj Dardam Molliqaj e ka pranuar këtë pako të dedikuar për ju në stacionin e autobusëve në Prishtinë. Andaj do të ishte mirë të tregoni përmbajtjen e këtij zarfi që ia ka dërguar vajza e njërit nga ministrat e Millosheviqit”, ka thënë deputeti Haxhiu duke ka akuzuar Kurtin se po fshihet pas flamurit kuqezi, duke kërkuar tradhtarë në këtë vend e duke mos pasur vizion për vendin.

Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama, më të marrë fjalën ka ironizuar me deputetin Bekim Haxhiu, duke thënë se ajo to t’i përmbahet kërkesës së Kuvendit që të adresohen vetëm çështjet urgjente.

Ajo ka folur për gjendjen e rëndë në disa fshatrave, të cilat janë bllokuar nga bora e madhe që ka rënë këto ditë të fundit. Me këtë rast, ka përmendur disa fshatra të Kosovës të cilat janë bllokuar nga bora e madhe, banorët e të cilave, nuk kanë mundësi qarkullimi. Lama kërkoi që të ndërmerret diçka në këtë drejtim.

Ndërkaq, deputeti Burim Ramadani nga AAK-ja ka folur për moszbatimin nga Qeveria të vendimeve që po dalin nga Kuvendi i Kosovës.

Ai e ka ngritur çështjen e mocionit të fundit që e miratoi Kuvendi për reciprocitet me Serbinë, duke thënë se as këtë vendim Qeveria e Kosovës nuk po e zbaton.

“Grupi i AAK-së kërkon që vendimet e Kuvendit të Kosovës të zbatohet. Ne si Aleancë kemi kërkuar respektimin e vendimit të Kuvendit nga Qeveria. Lere që nuk e ka zbatuar vendimin që ishte i miratuar me herët, por ajo nuk po e respekton as vendimin që e nxori në këto dite”, ka thënë ai.

Po ashtu, deputeti Ramadani, ka shfaqur brengën e AAK-së që Qeveria e Kosovës nuk po i sjell në Kuvend marrëveshjet e arritura me Serbinë për t’i debatuar.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka kritikuar udhëheqjen e Policisë së Kosovës për urdhrat që kanë dhënë me qëllimin e pengimit të protestës së 14 dhe 22 janarit.

“Më 14 dhe 22 janar, Qeveria e përdori policinë si një mekanizëm rruge. Barra nuk bie mbi policët që zbatonin urdhëra, por ata që dhanë. U shkel dokumenti për ballafaqimin e turmave. Ky dokument u hartua nga Policia e Kosovës. Po ashtu, burimet ligjore të këtij dokumenti janë Kushtetuta ligji mbi tubimet kodi penal dhe ligji i policisë”, ka theksuar deputeti Selimi.

Sipas tij Inspektorati Policor i Kosovës duhet ta konstatojë dhe të marrë masat e duhura ndaj përgjegjësve dhe jo të kthehet në instrument të ushtrimit të dhunës nga ana e inspektorëve.

Seanca po vazhdon edhe në këto çaste me pikat e rendit të ditës.

Në këtë seancë pritet që në rendin e ditës të jenë ndryshimi i projektligjit për tatimin në pronë, projektligji për personat e verbër etj.

Shpërndaje:

  • Printo
  • Email

Readers Comments (0)




WordPress Blog