TIRANË- Bashkia e Tiranës, në kuadër të politikave të zhvillimit ekonomik të kryeqytetit, do të krijojë terrenin e përshtatshëm për të afruar biznesin e Tiranës, me atë në Prishtinë, Shkup, Tetovë, me të gjithë tregun shqipfolës, me synim krijimin e një afiniteti më të madh për mallrat dhe shërbimet shqiptare.
Kryebashkiaku, Lulzim Basha, i pranishëm në mbledhjen e Bordit Drejtues të shoqatës “BiznesAlbania”, ku bisedoi me përfaqësuesit e bizneseve, për nevojën e ridimensionimit të modelit të zhvillimit ekonomik të Tiranës, theksoi edhe rëndësinë e tregut shqipfolës.
“Tregu ynë është një treg me një specifikë të veçantë, bëhet fjalë për tregun e Republikës së Shqipërisë, por edhe për një treg tjetër që duhe t’a ndikojmë fuqishëm, siç është tregu shqipfolës. Keni 400 milion euro potencial të pashfrytëzuar me Kosovën që sot është volumi tregëtar Kosovë- Serbi. Nuk dua të bëjë patriotin retorik, por dua t’ju them që është një potencial i pashfrytëzuar”, deklaroi Basha, duke u bërë thirrje bizneseve që t’i drejtojnë sytë nga Kosova.
Për këtë qëllim, Basha u tha përfaqësuesve të bizneseve që të bashkërendojnë punën me kolegët në Kosovë, “dhe shikoni se çfarë pjese të këtij bilanci tregëtar mund të përmbushni ju, tani që keni artieriet e komunikimit”.
Në këtë mbledhje, ku u diskutuan çështjet që shqetësojnë komunitetin e biznesit të Tiranës, Basha ripohoi edhe njëherë vullnetin e tij për të krijuar një partneritet të drejtë mes Bashkisë së Tiranës dhe biznesit.
Basha theksoi se “dy janë objektivat kryesore: të demonstrojë në partneritet me biznesin që Bashkia do të luaj rolin e saj në zhvillimin ekonomik dhe punësimin, duke konsideruar këtë si një detyrë parësore; dhe modelin e një qeverisjeje sa më afër qytetarit”.
Për t’i dhënë Tiranës një transforimim të zhvillimit ekonomik, Basha kërkoi bashkëpunim me biznesin me qëllim që “çdo sfidë që vjen nga ky vizion, të jetë një sfidë e përbashkët”.
Në lidhje me procesin e hipotekimit, Basha tha se do të përfundojë brenda 2012. ‘Asnjë objekt me leje nuk do të mbetet pa u hipotekuar. Kjo është një sfidë, për kapitalin në kryeqytet, për tregun e imobilarit dhe një provë e vetbesimit që Tirana ka për të ardhmen”.
Edhe Plani urbanistik, sipas Bashës, do të vendos rregulla të qarta që i duhen biznesit, për të konsoliduar arritjet dhe për të planifikuar hapat e mëtejshëm. “Zhvillimi kuturu është ktheyr në kosto prandaj plani është në interesin tonë”, tha Kryebashkiaku, duke ftuar biznesin që të jetë pjesë e vendimmarrjes në këtë drejtim për t’a shëndrruar Tiranën në një qytet miqësor për biznes.
Në lidhje me problemin e trafikut në Tiranë, Basha diskutoi për zgjidhjen që do t’i japi terminali i ri. Për këtë projekt Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në tetor do të përfundojë procedurat për t’i dhënë jetë realizmit të tij.
“Punimet në Unazën e madhe po vijojnë. Po bëjmë azhornimin për shpronësimin e pjesës nga qendra Kristal deri te teknoogjiku. Ndërkohë që projekti i bulevardit përfshinë dhe pjesën tjetër të unazës, 6.5 kilometrat nga Ura e Brarit tek Ura e Kamzës. Këto nuk janë thjesht artierje transporti, por mundësi të jashtzakonshme për të ridimensionuar bizneset”, vijoi Basha.
(d.b/BalkanWeb)
![]()
Tags: Banka Europiane, Bordit Drejtues, Edhe Plani, Kosov Serbi, Lulzim Basha