Basha: Krenar për ikonat e futbollit të kryeqytetit
TIRANË- Kompleksi Sportiv Dinamo do të jetë funksional edhe gjatë orëve të mbrëmjes, në saj të një investimi të Bashkisë së Tiranës që ka bërë të mundur vendosjen e sistemit të ndriçimit në këtë kompleks sportiv.
Po kështu, falë këtij investimi ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i dhomave të zhveshjes dhe dusheve. Në këtë mënyrë në kompleksin sportiv Dinamo mundësohet stërvitja e grupmoshave të ndryshme në çdo kohë dhe me kushte të mira.
Një ndeshje e veçantë futbolli që u zhvillua në orët e pasdites ka shënuar dhe fillimin e funksionimit të ndriçimit në kompleks. Ikonat e futbollit shqiptar të viteve ’80-’90 si Sulejman Mema, Agustin Kola, Alban Bushi, Indrit Fortuzi, Altin Shulku, Andrea Marko, Blendi Nallbani, Ledio Pano, Krenar Alimehmeti, por edhe lojtarë të tjerë si Mehmeti, Mersini, Tomorri, Milori, Tole, Stermasi, Stafa, Zhupa, Duro, Omuri kanë rikthyer emocionet e veçanta të futbollit shqiptar.
Titullarët e ekipit kombëtar por edhe të ekipeve të kryeqytetit, Tiranës, Dinamos dhe Partizanit zbritën në fushë të ndarë në dy ekipe, të cilat drejtoheshin nga ish trajnerët e kombëtares Astrit Hafizi dhe Bejkush Birçe. Skuadra e Hafizit arriti të fitonte këtë ndeshje me rezultatin 3 me 2. Super goli i kësaj ndeshje ishte ai i të madhit Sulejman Mema që shënoi dhe fitoren e ekipit të drejtuar nga Hafizi.
Kupa u dorëzua nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Në shenjë mirënjohje për kontributin e zotit Basha, i cili në drejtimin e Ministrisë së Brendshme nuk lejoi që ky kompleks të shkatërrohej dhe për kontributin dhe angazhimin e tij për sportin në përgjithësi, ikonat e futbollit shqiptar i dhuruan topin e lojës me mbishkrimet e tyre.
Zoti Basha e ka cilësuar një privilegj të veçantë këtë dhuratë dhe faktin se ndodhet mes ikonave dhe idhujve të tij të futbollit shqiptar dhe shprehu angazhimin që çdo banor i Tiranës të ketë akses tek sporti i tij i preferuar.
(ma.ar/BalkanWeb)
![]()
Tags: Agustin Kola, Altin Shulku, Andrea Marko, Astrit Hafizi, Blendi Nallbani, Krenar Alimehmeti, Ledio Pano, Sulejman Mema
Trackback from your site.



