Berisha- Vujanovic: Marrëdhënie të shkëlqyera mes vendeve tona
PODGORICE- Në vijim të vizitës zyrtare në Mal të Zi, Kryeministri Berisha u takua sot në mesditë me Presidentin malazez, zotin Filip Vujanovic.
Presidenti Vujanovic shprehu falënderime për kontributin e madh që ai ka dhënë në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Më tej, ai shprehu vullnetin e Malit të Zi për çuarjen edhe më tej të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat, në veçanti në fushën ekonomike.
Kryeministri Berisha e siguroi atë se qeveria shqiptare do të vijojë ta mbështesë fuqishëm anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Në takim u ripohua vullneti i palëve për të vijuar bashkëpunimin në projekte të përbashkëta në shumë fusha, si infrastrukturën rrugore, nismën për autostradën Adriatiko-Joniane, projektin për lumin Buna dhe liqenin e Shkodrës, si dhe projekte të përbashkëta turistike, veçanërisht për turizmin malor, për t’i paraqitur alpet si një destinacion jashtëzakonisht tërheqës për turizëm e investime në të dy vendet.
Kryeministri Berisha shprehu, gjithashtu, kënaqësinë për progresin që shqiptarët kanë bërë në Mal të Zi, ndërsa Vujanovic e falënderoi Berishën për kontributin e qeverisë shqiptare, përsa i përket plotësimit të standardeve të të drejtave e lirive të njeriut të qytetareve shqiptarë me origjinë nga Mal i Zi.
Në takim, dy personalitetet diskutuan edhe lidhur me zhvillimet në rajon. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen që Mali i Zi i ka dhënë në vijimësi çështjes së shqiptarëve në Kosovë dhe njohjes së Republikës së Kosovës duke e konsideruar atë si një kontribut në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. “Pavarësia e Malit të Zi dhe e Republikës së Kosovës e ka bërë Rajonin e Ballkanit më të lirë se kurrë”, theksoi kryeministri Berisha.
(ma.ar/BalkanWeb)
![]()
Tags: Adriatiko Joniane, Filip Vujanovic, Kryeministri Berisha, Mali, NATO, Presidenti Vujanovic
Trackback from your site.



