Lorik Cana kundër “Aleancës Kuq e Zi” si parti politike

Written by admin on . Posted in VIP Lajme

Rrëfimi ndryshe i Lorik Canës, nga Aleanca Kuqezi e deri tek marrëdhënia e tij me politikën. “Tatuazhi im i radhës një shqiponjë me nënshkrimin ‘Ballist’”.

Nëse do të kishte jetuar në vitet para çlirimit ai do të kishte qenë një luftëtar i zoti me të njëjtën teknikë dhe grintë që përdor në fushën e futbollit. I gjatë, syshqiponjë me çdo tipar të një shqiptari gjakpastër Lorik Cana, është futbollisti më i pëlqyer i viteve të fundit. Prezantohet në intervistën për “Tirana Observer” korrekt në kohë dhe na pret me buzëqeshjen e tij karakteristike. Flet qetë me sytë që herë-herë ndriçohen nga emocionet e ndonjë kujtimi që na rrëfen. Ndër të tjera 28-vjeçari tregon lidhjen e tij me Aleancën Kuq e Zi dhe pozicionin pas formimit të partisë politike. Ndryshe nga shumë shqiptarë të tjerë dashurinë që ka për vendlindjen ai mundohet ta shprehë dhe t’ia përcjellë çdo bashkatdhetari në mërgim.

I shkëlqejnë sytë kur flasim për Shqipërinë dhe në bisedë e sipër na tregon se një nga projektet e tij për të ardhmen është krijimi i shkollave shqipe në emigrim. Pas një periudhe disa mujore dëmtimi Lorik Cana është rikthyer të luajë sërish. “Në skuadrën e Lazios akoma nuk kam dhënë maksimumin por do të punoj fortë për të arritur rezultate të mira” rrëfen ai. Ndër të tjera ai tregon për herë të parë tatuazhin patriotik të radhës një shqiponjë me nënshkrimin “Ballist”.

Si është jeta e Lorikut në Romë?

Jam ambientuar shumë shpejt. Kam pasur fatin që gjuhën e kam folur më parë. Më ka ndihmuar shumë raporti me shokët e skuadrës por edhe raportet jashtë futbollit. Shtëpinë e kam gjetur shumë shpejtë pas një muaji, kështu që ambientimi im ka qenë shumë i shpejtë dhe shumë i lehtë. Nga ana tjetër kultura kulinare italiane njihet në të gjithë botën kështu që jam gjetur shumë mirë edhe me kuzhinën.

Si ndiheni pas dëmtimeve të fundit?

Tani ndihem shumë mirë dhe jam në dispozicion të trajnerit kur do vendosë që të aktivizohem. Kam dy javë që kam filluar stërvitjen dhe mundohem për të përmirësuar nivelin fizik. Dua të jem sa më i aftë për të dhënë një kontribut sa më të madh për skuadrën.

Cilat janë marrëdhëniet me lojtarët e tjerë të Lazios? A keni lidhur miqësi?

Skuadra është e madhe por kam marrëdhënie të mira me shumicën prej tyre. Marrëdhëniet më të mira i kam me Maurin dhe Brokin por gjithsesi kam shoqëri me shumicën e tyre.

Si janë marrëdhëniet me Igli Taren jashtë fushës?

Marrëdhëniet me Iglin janë shumë të mira, e njoh që prej dhjetë vjetësh kemi luajtur shumë vite në kombëtare bashkë. Brenda ambientit të klubit raporti jonë është lojtar-drejtor, vetëm jashtë këtij ambienti jemi shumë miq.

Keni hasur ndonjëherë probleme racizmi, i referohem periudhës para marrjes së pasaportës franceze?

Jo, nuk kam pasur probleme të këtij lloji. Por fakti që ne jemi një vend i vogël dhe më së shumti nuk njihemi për futboll, vështirësinë më të madhe e kam hasur për të shpjeguar se ku ndodhej Shqipëria. Më tej jam munduar gjithmonë që të promovoj sportistët dhe futbollistët që ka veni ynë. Kjo është një betejë e madhe jo vetëm e imja por e të gjithë lojtarëve që luajnë në skenën ndërkombëtare. Ky promovim ka qenë dhe do të jetë një sfidë edhe për të ardhmen dhe jam i sigurtë që Shqipërisë nuk do ti mungojnë kurrë sportistët e mirë.

Në mediat Shqiptare janë përfolur shumë tatuazhet e Lorikut. Do të ketë një tatuazh të radhës?

E kam bërë një tatuazh tjetër, dhe ka pak ditë. Tatuazhet janë diçka personale, unë i bëj sepse e ndjej nevojën. Madje të afërmit e mi më thonë mos e ekzagjero shumë sepse po mbush trupin me tatuazhe. Tatuazhi ka gjithmonë të njëjtin kuptim tashmë shqiptarët janë mësuar ti shohin, kam tatuazhe me helmetën ilire, me shqiponjën dykrenore dhe një poemë kushtuar Shqipërisë që zinte gjysmën e djathtë të shpinës. Në pjesën tjetër të shpinës kam tatuuar një kokë shqiponje, simboli i vendit tonë dhe në fund të saj kam shkruajtur “BALLIST”.

Keni tatuuar shqiponjën me nënshkrimin “Ballist”, kush është arsyeja e këtij nënshkrimi?

Janë ndjenja personale, kam pasur njerëz të familjes sime që kanë qenë ballista dhe për mendimin tim kanë pasur vlera dhe kanë pasur një mendim tjetër për Shqipërinë. Unë gjej veten në të njëjtat ide, prandaj ky tatuazh më përfaqëson më së miri. Kjo është intervista e parë që unë flas për këtë tatuazh dhe për arsyen e tij. Unë shpresoj që një ditë historia e vendit tim të rishkruhet ashtu si duhet.

Lëvizja nga një shtet në tjetrin ju ka bërë që të njihni femra të nacionaliteteve të ndryshme. Kush janë preferencat e Lorikut?

Për një njeri që është rritur jashtë vendit por me vlera dhe me ideale të forta sigurisht që dëshira është të njoh një vajzë shqiptare. Mendoj që njeriu që njeh zakonet e tua, që njeh nevojat e tua dhe që të përshtatet plotësisht për të qenë njeriu i jetës është një njëri nga vendi yt. Por këto janë gjëra që nuk komandohen, motra ime është martuar me një francez dhe jeton shumë mirë me të.

Cili është mesazhi që ju jepni shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit?

Për gjeneratat që kanë lindur jashtë vendit ju takon më shumë prindërve të tyre që ti mësojnë të ruajnë gjuhën, zakonet dhe kulturën shqiptare. Unë ju jam shumë mirënjohës prindërve të mi që më kanë trashëguar kulturën, vlerat dhe gjuhën tonë. Fëmija rritet si e mëson prindi, amaneti më i rëndësishëm është që të mos të harrojnë gjuhën sepse e kemi si dëshmi dhe pasuri që nga antikiteti. Këtë pasuri nuk mund të na e marri askush, kjo është një dëshmi që ne jemi një popull i lashtë. Me shekuj të parët tanë e kanë ruajtur këtë gjuhë dhe ne nuk kemi të drejtë që meqenëse bota po hapet ta harrojmë. Në të ardhmen unë kam shumë dëshirë që të hap shkolla shqipe jashtë vendit ku fëmijët të mësojnë gjuhën tonë. Jam shumë mirënjohës për ata bashkatdhetarë që kanë marrë iniciativa të tilla.

Tani që “Aleanca Kuq e Zi” është një parti politike, a kanë ndryshuar idetë, roli i Lorikut në Aleancë?

Unë si Lorik kam qenë në themelimin e AK-së si lëvizje mbarëkombëtare. Për mua ka qenë e pamundur që mos ta mbroj sepse ishte një lëvizje popullore, rinore, një lëvizje me mesazhe që çdonjëri prej nesh ndihet i “obliguar” ta mbështesë. Vlerësoj shumë Kreshnik Spahiun për atdhedashurinë që e ka të vërtetë ashtu si edhe unë, askush nuk mund të thojë të kundërtën. Spahiu ka bërë punë, ka bërë gjëra shumë të mira. Qëllimet e Aleancës ishin qëllime të mira, mandej u bë një parti politike gjë që mua nuk më pëlqen por kjo nuk do të thotë që nuk vazhdoj ta simpatizoj Kreshnik Spahiun si njeri. Nëse është gati AK për të udhëhequr një vend është diçka tjetër që mua nuk më takon ta them. Unë flas si Aleancë dhe për qëllim kryesor të saj, bashkimin e trojeve shqiptare. Aleanca ka një përgjegjësi shumë të madhe mbrojtjen e interesave kombëtare dhe forcimin e ndjenjës patriotike nuk ka të drejtë të gaboje sepse nuk mund të zhgënjeje ata njerëz që e mbështesin. Unë vazhdoj të mbështes AK-në por nuk isha pro krijimit të një partie politike në një të ardhme kaq të afërme.

Mendoni një ditë të bëheni pjesë e politikës edhe ju?

Nuk e kam menduar kurrë pikësëpari sepse dua të fokusohem për karrierën time sportive dhe për shëndetin tim. Vetëm në këtë mënyrë kënaqem vetë, kënaq familjen time dhe njerëzit që më mbështesin.

Çfarë mendimi keni për politikanët shqiptarë?

Nuk është se nuk i njoh, pasi mundohem të azhornohem herë pas here për gjendjen politike në Shqipëri, më duket shumë e rëndësishme që njeriu të jetë i informuar jo vetëm çfarë ndodh në vendin e tij por në mbarë botën. Në të ardhmen unë do të kthehem në vendin tim edhe nëse jo aty ku jeton familja ime. Më intereson të informohem për çdo territor ku ka shqipfolës. Unë besoj se kemi politikanë të aftë për të drejtuar vendin, por që nuk iu jepet mundësia atyre që janë të tillë. Si gjithmonë politika është në interes të pushtetit dhe aty brenda ka gjithmonë konflikte për interesa personale. Unë nuk mendoj se politika është komplet negative por duke parë nevojat që ka vendi ynë dhe vështirësitë që has populli mendoj se politikanët kanë akoma shumë punë për të bërë. Pyetja e duhur është a po ecin me shpejtësinë e duhur Shqipëria dhe Kosova? Personalisht jam i mendimit se kur ke mundësinë ti ngjitësh shkallët katër e nga katër duhet ta bësh për të arritur nivelet e shteteve të tjera.

Si e mendon të ardhmen e tij Loriku?

Nuk e di akoma se si do të jetë e ardhmja ime sepse kam shumë pasione. Një prej pasioneve të mia që po e përforcoj edhe me studime është historia. Ka disa vite që më pëlqejnë kuajt, hipizmi me pengesa, madje kam disa kuaj në pronësinë time. Synimi im është që një ditë Shqipëria të përfaqësohet në nivel ndërkombëtar në botën e hipizmit. Do të më pëlqente të angazhohesha edhe si pedagog në futboll. Nuk e shikoj veten si trajner sepse dua që në të ardhmen të kem kohë për të qëndruar afër edhe familjes time. Një sfidë e të ardhmes do të jetë krijimi i të njëjtit kampionat, të njëjtën kombëtare për Kosovën dhe Shqipërinë. Unë kam mundësinë që flas disa gjuhë dhe dua të ndihmoj në çdo mënyrë për zhvillimin e vendin tim.

Lexon libra shqip Loriku? Kush është libri i fundit që keni lexuar?

Lexoj shumë libra historie e lidhur kjo edhe me diplomën part-time që po marr në Fakultetin e Historisë në Universitetin e Tiranës. Më ka pëlqyer shumë një libër që kam lexuar mbi Arvanitasit dhe historinë e Greqisë. Gjithashtu një libër shumë i bukur është libri i Mathew Aref “Shqipëria odiseja e pabesueshme e një populli parahelen”. Më pëlqen shumë etimologjia dhe mundohem të informohem sa më shumë. Gjithashtu çdo herë që kthehem në Shqipëri apo Kosovë vizitoj të vende të ndryshme arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Bylisi etj. Më vjen keq për gjendjen që janë këto vende dhe shpresoj të punohet sa më shumë për tu bërë më të vizituara nga turistët e huaj.

A dëgjoni muzikë shqiptare, çfarë zhanri?

Dëgjoj shumë muzikë shqiptare, çdo lloj muzike e vendit tim më pëlqen. Madje në makinën time gjen shumë muzikë popullore, gjakovare, të Shqipërisë së mesme, të veriut, të jugut, etj. Më pëlqen edhe muzika moderne, ne prodhojmë këngëtarë më shumë se Franca dhe Anglia (qesh).

Çfarë simbolizon për Lorik Canën shqiponja dykrenare?

Shqiponja dykrenare simbolizon rrënjët e mia, familjen time, gjakun tim. Po ato jeta ime, karriera ime si futbollist nuk do të kishin të njëjtin kuptim. Janë disa gjëra në jetë për që të bëjnë të ndiesh i lumtur dhe i plotësuar. Është familja dhe çfarë bën ti për familjen time, feja pavarësisht çfarë feje. Ne shqiptarët jemi shembullorë për fenë. Shqiponja dykrenare simbolizon gjithë shqiptarët. Unë e ndiej si një detyrë që ta mbroj trashëgiminë që na kanë lënë paraardhësit tanë. Në glob jemi shumë pak, kemi qenë të shtypur dhe vazhdojmë të jemi të tillë. Unë tregoj se nga vij dhe dua të promovoj Shqipërinë kudo shkoj.

Nga Aurora ALLUSHAJ TiranaObserver

Ingrit Gjoni bëhet nënë, vjen në jetë Paridi

Written by admin on . Posted in VIP Lajme

Ingrit Gjoni, këngëtarja e dashur e skenës shqiptare ka përjetuar gjatë ditës së djeshme, ato që ajo i quan emocionet më të forta në jetën e saj… emocionet e lindjes së një fëmije. Orët e para të ditës së hënë e kanë kthyer Ingritin në femrën më të lumtur në planet, duke i dhuruar kështu një status të ri jetësor, atë të nënës. Parid Mara është emri i engjëllit më të ri të botës, fryt i dashurisë 6-vjeçare të këngëtares me partnerin e saj, Genti. Po çfarë na tregoi Ingriti. Cilët ishin njerëzit e parë që e vizituan. Gëzimi i saj dhe i babait të fëmijës. Pse u zgjodh ky emër dhe cila është domethënia e tij. Përgjigjet për këto dhe të tjera pyetje, Ingrit Gjoni na i dha vetë, gjatë vizitës që i bëmë dje në spitalin “Hygeia” ku dhe u krye lindja.

Gjithë spitali e di për lindjen e saj, edhe punonjësit e sigurisë madje. Në recepsion na njoftojnë se dhoma e këngëtares gjendet në katin e tretë, aty ku është pavijoni i lindjeve. Nuk është e vështirë ta gjesh dhomën në fakt sepse në suitën VIP, siç njihet ndryshe kjo hapësirë, ka qenë e shtruar edhe motra e saj, Inisi. Pavarësisht kësaj, një infermiere na shoqëron deri tek dera, ku lulet kanë zënë pritë tashmë. Mes tyre bie më shumë në sy, një buqetë e madhe me 100 trëndafila të bardhë, dhuratë e partnerit të këngëtares, Gentit.

Një fjongo bojëqielli e varur në derë, njofton gjininë e fëmijës. Ingriti ka pak orë që ka dalë nga operacioni, megjithatë gëzimi i lexohet qartazi në fytyrë. Mbi kokë ka 20 tullumbace, ndërkohë që celulari nuk i pushon, ndonëse numrin e ka ndryshuar tashmë.

Bashkë më të në dhomë është edhe Ilda, tezja e madhe e Paridit, e cila ka qëndruar gjatë gjithë ditës me të motrën. “Inisi ishte në drekë, po iu desh të kthehej në shtëpi se nuk mund të qëndronte gjatë këtu me vajzën”, – thotë e madhja e motrave Gjoni, ndërsa nis me qerasjet.

Infermieret janë gjatë gjithë kohës në dispozicion dhe kujdesi për këngëtaren është maksimal. Mjeku që e ka ndjekur lindjen, doktori Vasil Angjeli është predispozuar maksimalisht që Ingriti dhe djali të jenë në gjendjen më optimale dhe nga sa pamë, këngëtarja nuk mund të ishte më mirë se aq. “Jam shumë e lumtur. Nuk m’a priste mendja të kishte edhe të tilla ndjesi.

Emocionet kanë qenë shumë të forta, më të fortat që kam përjetuar. Kam menduar gjithmonë se dashuria për partnerin, të afërmit, miqtë, apo profesionin është shumë e madhe, por jo. Fëmija qenka mrekulli. Më duket sikur kam rilindur”, – thotë këngëtarja, e cila nis të na tregojë për zgjedhjen e emrit. “Emrin e vendosi Genti. Ishte dëshirë e tij që djali të quhej Parid”, – vijon Ingriti duke na thënë se emri i tij, është emri i një prijësi, siç djali i tyre do të jetë udhëheqësi i lumturisë familjare.

Në këtë kohë, ndërsa po flasim për harmoninë në familje, në dhomë futet edhe babi Genti, i cili duket se po fluturon nga gëzimi. “Paridi ishte dhurata më e bukur që mund të na jepte Zoti”, – thotë këngëtarja ndërkaq. Me këtë frazë, e me lumturinë që lexohej qartazi në fytyrat e prindërve të rinj, përshëndetemi me ta dhe dalim në korridor për t’i lënë radhën mysafirëve të tjerë, të cilët janë të shumtë në numër. Në hollin e katit të tretë, na qëllon të takojmë edhe maminë që e priti, e cila na tha se djali i ngjan shumë të atit.

Ky nuk ishte një konstatim i saji, jo. Gjyshja e tij, mamaja e Gentit, që ishte edhe para që e pa të voglin,  kish thënë se Paridi ishte kopje e të birit. Të gjithë familjarët kanë qenë të lumtur për këtë dhuratë që Zoti u ka bërë dhe vizitat e tyre nuk kanë munguar përgjatë ditës.

Në dhomë veç tyre kanë hyrë edhe shumë miq të Ingriti, mes të cilëve edhe këngëtarja Çiljeta Xhilaga, e cila ishte shprehur se tani ‘u bëra teze’. Me urimet më të mira për të voglin dhe prindërit e tij, ne po e mbyllim këtu për sot.
(el.me/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Iva Mera, zëdhënësja modele, “çmend” klubin e futbollit Tirana

Written by admin on . Posted in VIP Lajme

Ky futboll ka gjithnjë nevojë për pak feminilitet. Në një realitet të mbushur me skena dhune, tifozë fanatikë dhe me sharje të vazhdueshme nëpër tribunat e stadiumeve, elementi femëror mund të luajë një rol frenues. Një gjë e tillë u pa edhe dje, kur Iva Mera, një prej bukurosheve shqiptare, është prezantuar si zëdhënësja e re e shtypit e klubit Tirana. Mjaftoi prania e saj që futbollistët bardheblu të tregonin edhe anën tjetër të tyre, xhentilesën, duke i uruar mirëseardhjen në kor vajzës së aktorit të njohur Behar Mera.

Zgjedhja e saj në këtë klub duket diçka e rrallë, pasi në futboll, zëdhënësit përgjithësisht janë meshkuj. Megjithatë, lojtarët e Tiranës tashmë kanë edhe diçka tjetër për t’u mburrur, përveçse fanelës së tyre të famshme.

Në Shqipëri, numri i fem rave që merren me çështjet e futbollit, është shumë i vogël. Përjashtim në një masë shumë të vogël bën Federata Shqiptare e Futbollit, ku punonjëset femra nuk mungojnë.

(el.me/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Elvana Gjata, me 28 Prill klipin e ri “Gjaku im”

Written by admin on . Posted in VIP Lajme

Videoklipi i shumë përfolur i këngëtares, Elvana Gjata “Gjaku im”, do të vijë për publikun në 28 prill. Lajmin e kanë bërë të ditur producentët e studios muzikore, “Threedots”, të cilët kanë pohuar se video do të shfaqet të shtunën për publikun shqiptar. Kënga “Gjaku im” është pjesë e albumit të saj të dytë .

Viti 2011 ishte një vit i sukseseve për Elvanën, pasi këngëtarja triumfoi në “Top Fest 8 “ dhe publikoi albumin e saj të dytë “Afër dhe larg”.

Aktualisht Elvana Gjata është duke konkurruar në “Dancing With the Stars”, ku duket se është një nga pretendetet kryesore për ta fituar këtë kompeticion.

Pagesat e këngëtarëve që këndojnë live

Written by admin on . Posted in VIP Lajme

Puna në klubet e natës gjatë fundjavës dhe kontratat afatgjata që sigurojnë të ardhura. Pagesat e këngëtarëve që këndojnë live dhe ofrojnë spektakle nëpër bare dhe top lista e më të paguarve: këngëtarëve të dasmave.

Mbase nuk kanë klipe të shumta në numër, por një punë të sigurtë po! Mund të mos ju ndodhë shpesh të shikoni në ekran një këngë të Sidrit Bejlerit apo Juliana Pashës, të vëllezërve korçarë apo Olta Bokës, ama këta janë ndër të paktët në shumësinë e këngëtarëve që këtë e kanë profesion prej të cilit marrin një rrogë (jo të vogël) çdo fundmuaji. Po flasim për këngëtarët e lokaleve. Emra të njohur të muzikës shqiptare që i gjen përgjatë fundjavës në skena të improvizuara baresh me emër, të karikuar me energji për ta mbajtur publikun në këmbë deri në orët e para të mëngjesit. Dhe ndryshe nga sa ta thotë mendja, nisur nga shumësia e emrave që kanë vite që prodhojnë klipe, këngëtarë të rinj, nga ata të të kënduarit “live” ose jo, kur vjen puna për të renditur artistët që mbajnë gjallë jetën e kryeqytetit, në dimër e verë, lista është fare e shkurtër. Megjithatë pagesat për ta vështirë t’u afrohen (me ndonjë përjashtim të vogël), shifrave të majme për të cilat, ndoca prej tyre tregojnë në kohë fushatash dhe më shumë në stinën e verës, kur moda e këngëtarëve të lokaleve zhvendoset nga Tirana në breg të detit dhe numri i tyre shtohet si me magji. Nëse përgjatë pjesës më të madhe të vitit të zotët e bareve duan emra të njohur, por mbi të gjitha këngëtarë që dinë të këndojnë e që të jenë të zotët të tërheqin e mbajnë klientelë, në verë, ca nga vapa e ca nga dalldia e pushimeve, shigjeta anon nga vajzat e bukura të klipeve që të shoqëruara nga cd-të e këngëve të tyre më të njohura, japin spektakël në skenë me performanca dhe tinguj.

Por kjo nuk është as kohë fushatash dhe as kohë pushimesh. Kur sezoni turistik mbyllet dhe baret e plazheve i vënë kyçin derës, alternativa e vetme mbetet Tirana. Ndërsa harta e lokaleve shtrihet nga periferia në qendër, ndonjëherë edhe në zonën e ish-Bllokut, e cila pavarësisht frekuentimit, lokalet me muzikë live i ka më të pakta e të rralla krahasuar me të tjerë që tashmë njihen veçse si të tillë. Kështu një takim me Endri dhe Stefi Priftin mund ta keni çdo fundjavë në Skena Live, në hyrje të stacionit të trenit. Emrin e barit që në vitin 2002 e patën hapur në Korçë (me pak ndryshime) tani e kanë transferuar në Tiranë dhe ish-Zippo u bë “Skena Live” ku ata këndojnë çdo fundjavë dhe nami u ka dalë me kohë. Juliana Pasha vërtet shfaqet çdo të dielë në ekranin e televizionit Klan si një nga anëtarët e jurisë së spektaklit “X Factor”, por punën e përjavshme nuk e ka lënë asnjë ditë. Këndon tek “Stela” bashkë me kolege të tjera të saj. Kështu ka vite që e ruan famën edhe “Kavaliero” klubi i natës në periferi të Tiranës që çdo herë ka pasur një grup të zgjedhur këngëtarësh të shoqëruar nga një bandë që gjithashtu është spektakël më vete. Pa një bazë të saktë të lidhur me një emër lokali, të premteve dhe të shtunave mund t’ju ndodhë të shoqëroheni edhe nga Sandër Gjoka, Elton Deda apo Samanta Karavella, por edhe bashkë me këta, gjithësej nuk janë më shumë se një dyzinë këngëtarët (të paktën ata të njohurit) që artin nuk e bëjnë me raste a me stinë verore apo politike, por e kanë profesion dhe punë me të cilën jetojnë dhe çdo fundmuaji arkëtojnë një rrogë.

Vetëm se kësaj here nuk flitet për shuma të tilla si 5000 euro për një mbrëmje, siç përflitet të kushtojë prania e Elvana Gjatës në një koncert jashtë. Kjo edhe sepse kur vjen puna për ftesa që vijnë nga përtej kufirit, pazari është tjetër dhe kur vjen puna për një kontratë afatgjatë në një lokal shqiptar, duket se edhe hesapet janë të tjera. Sidoqoftë më të fituarit e kësaj pune, siç tregojnë kolegë, menaxherë baresh apo vetë ata, rezultojnë të jenë vëllezrit korçarë, të cilëve Tirana u priu për mbarë qysh ditën e parë, këngëtare të kalibrit të Aurela Gaçes etj. Ndërsa në top listë janë ata që shtypi rozë vështirë t’u kushtojë vend të rëndësishëm, pra doza fame krahasuar me të tjerët, janë këngëtarët e dasmave. Rrumbullakosin miliona për sezon dhe hallakaten pak ose aspak me klipe apo rryma të reja muzikore. I qëndrojën traditës dhe duket se janë më të fituarit e kësaj pune.

Stefi dhe Endri Prifti e kanë nisur rrugëtimin në Greqi, ku emigruan menjëherë pas përmbysjes së fillimviteve ’90-të. Këndonin herë në Selanik e herë në Athinë, përballë një publiku që i donte dhe i ndiqte nga pas, pavarësisht se ishin shqiptarë. U bënë aq të njohur sa ruajnë nga ajo kohë edhe imazhe filmike nga emisione ku kanë qenë të ftuar, bashkëpunime me këngëtarë e grupe muzikore greke, emra baresh me emër, pra gjithçka që mjaftonte për të mos e menduar ndonjëherë kthimin. Dhe ndoshta Tirana nuk do të kishte dëgjuar për ta, nëse falë një rastësise – në vitin 2002 lokali ku punonin u mbyll ende pa përfunduar sezoni – u kthyen në vendin e lindjes, në Korçë. Kohë pushimesh të paparashikuara dhe si të tilla, dy vëllezërit e ndanë mendjen të bënin një investim të vogël: një bar në zemër të parkut, i quajtur “Skena Park”, të cilit nuk ju deshën më shumë se disa javë të tërhiqte vëmendjen e gjithë qytetit dhe përtej tij. Nami mbërriti deri në Tiranë, u ftuan nëpër koncerte të ndryshme, deri kur vëllezërit (gjithashtu korçarë) Laço u bënë ofertën të merrnin pjesë në spektaklin “Këngët e shekullit”. Pranuan ta bënin dy herë brenda javës rrugën Korçë-Tiranë, qoftë edhe duke i hyrë në hak lokalit që kishin në Korçë, ama fituan aq famë sa të tjerë të ngjashëm me ta vështirë ta kishin ëndërruar për aq pak kohë. Endri dhe Stefi morën pjesë edhe në festivale, realizuan edhe bashkëpunime dhe në fund i dhanë karar ta mbyllnin lokalin e Korçës për t’u vendosur këtu. Aktualisht i gjen në “Skena Live” ku ndryshe nga të tjerët kanë një kontratë me përqindje: 40 për qind të fitimit shkon në llogarinë e tyre dhe 60 në atë të zotit të lokalit. Të tjerë që do të donin t’i kishin të ftuar për një mbrëmje duhet të paguajnë 1.5 milionë lekë të vjetra, sepse vëllezërit shoqërohen edhe nga banda e tyre.

Për të qëndruar në Korçë, këto muajt e fundit edhe një tjetër korçar është bërë këngëtar i përjavshëm i një tjetër lokali. Devis Xherahu gjithashtu ka ardhur nga Greqia me një cv të mbushur me pjesëmarrje në spektakle, bashkëpunim me Lefteris Pantazis, koncerte dhe klipe. U kthye meqë Tirana ju duk gjithashtu një tokë pjellore sa i takon karrierës dhe ndërsa konkuron nëpër festivale (aktualisht është pjesëmarrës në Top Fest) dhe realizon klipe e këngë të reja, Devisi çdo fundjavë këndon në klubin e quajtur Magazina. Diku në hyrje të “Komunës së Parisit”, kundrejt një pagese prej 500 mijë lekësh të vjetra në natë, Devisi premton një repertor që i mban të gjitha: serenatën korçare, populloren, baladat, këngët greke a të çdo vendi qofshin, pra një mbrëmje që ia vlen të gdhihet zgjuar.

Siç e premtojnë edhe të gjithë të tjerët të ngjashëm me të, që këndojnë prej vitesh tashmë nëpër lokale që kanë marrë emër pikërisht prej tyre. Kështu, Juliana Pashës para festivaleve, famën ia kanë dhënë baret ku ka kënduar për një kohë të gjatë. E dalluar gjithmonë për zërin e veçantë, i përshtatshëm për ritmet bluz, xhaz, soul, por edhe i fuqishëm në skenat ku këndohet “live”, sidomos këto vitet e fundit kanë qenë më shumë se të mbara për Julianën. Dhe jo vetëm në skenat e festivaleve. Deri para pak kohësh Juliana dhe të tjerë këndonin çdo fundjavë në Kavaliero Club, në shoqërinë e një bande profesionistësh, ndërsa aktualisht është transferuar në një tjetër lokal, “Stela”. Aty Juliana ka një kontratë pune kundrejt 300 mijë lekëve të vjetra në natë dhe bashkë me të janë edhe Olta Boka dhe Kejsi Tola. Këto dy të fundit kanë një pagesë prej 100 mijë lekësh në natë, dhe megjithëse emra të rinj në fushën e artit, ofrojnë spektakël. Pas ikjes së Julianës, te Kavaliero vazhdon të këndojë shkodrani karizmatik Sidrit Bejleri, gjithashtu kundrejt një pagese prej 300 mijë lekësh të vjetra bashkë me Altin Gocin (me një kontratë për 200 mijë lekë të vjetra) dhe Era Rusin (150 mijë lekë të vjetra), një tjetër këngëtare prefesioniste e shkolluar në Greqi dhe e kthyer jo shumë kohë të shkuara në atdhe.

Me kontrata dhe adresa të sakta janë vetëm këta, por megjithatë nuk është e çuditshme që në bare ku luhet muzike live herë pas here të këndojë edhe Elton Deda, Sandër Gjoka, Redon Makashi apo Samanta Karavella. Treshja Deda-Gjoka-Makashi vite më parë provuan të hapnin lokalin e tyre, i cili fitoi famë ende pa e shënuar natën e inagurimit. Mjaftonte lajmi që ata do të bëheshin bashkë dhe çdo fundjavë do të këndonin repertor të zgjedhur, për të tërhequr vëmedjen. Nuk zhgënjeu asnjëri prej tyre. “Tre musketjerët” për aq sa zgjati ofroi muzikë të mirë dhe argëtim deri në mëngjes, por grupi u shpërbë, Elton Deda e la Shqipërinë dhe lokali megjithë tentativat e mëvonshme nuk e pati fatin të jetonte gjatë. Tani këngëtarët këndojnë kundrejt kontratave prej 500 mijë lekësh të vjetra për një mbrëmje. Është rikthyer në Shqipëri edhe Elton Deda, i cili megjithë vitet e largimit duket se nuk e kishte humbur publikun e vet. Kryesisht në zonën e ish-Bllokut ai edhe banda e tij muzikore (bashkë me bandën ndryshon edhe pagesa në 1.5 milionë lekë), Eltoni ka kënduar disa herë duke ofruar spektakël rrymash dhe këngësh me famë botërore. Ndërsa Samanta Karavella, ndoshta më rrallë se kolegët e saj, herë pas here ka kënduar kundrejt pagesave prej 200 mijë lekësh të vjetra. Bën përjashtim Aurela Gaçe, e cila gjithësesi pjesën më të madhe të aktiviteteve e ka jashtë Shqipërisë, dhe që ndoshta më rrallë se të tjerët shfaqet në lokalet ku këndohet live kundrejt një shume prej 1500 eurosh. Në listën e artistëve të veçantë, sa i takon pagesave, hyn edhe grupi “Elita 5″, i cili pranon të nënshkruajë kontrata pune në këmbim të 5000 eurove për performancën e një nate.

Por as kjo shumë nuk e mban në krye të klasifikimit grupin e djemve nga Tetova. Të pranishëm më rrallë se të tjerët në jetën e natës së kryeqytetit, “Elita 5″ vjen pas këngëtarëve të muzikës popullore që nuk frekuentojnë as lokalet as klipet, por dasmat shqiptare. Në në krye të top listës është Artiola Toska, e cila siç tregojnë kolegët, por sidomos axhenda e ngjeshur dhe lumi i kërkesave për të, ndodh të arkëtojë deri në 60-70 milionë lekë të vjetra për sezon. Të kërkuara janë edhe Valbona Halili dhe Valbona Mema, por njësoj shumë janë edhe motrat Irma dhe Eranda Libohova. Gjithashtu Juliana Pasha, Saimir Çili dhe të tjerë këngëtarë prej vitesh mbajnë në këmbë dasmat shqiptare për të cilat pazari është i dy llojeve: 2 milionë lekë të vjetra përfshirë edhe “të hedhurat” nga të ftuarit, ose 3 milionë lekë të vjetra, pa këto të fundit. Qoftë me të parën, qoftë me të dytën, e sigurta është se asnjë prej këngëtarëve nuk i thotë “jo” në oferte për të kënduar në dasmat e Tiranës. Madje shumë këngëtarë të rinj e synojnë (shpesh jo me shumë sukses) një treg të tillë: është fitimprurës dhe siguron punë afatgjatë.

Alida Cenaj Revista Klan

Leonora shfaqet me imazh te ri

Written by admin on . Posted in VIP Lajme

Pas nje pauze prej disa muajsh, kengetarja e njohur kosovare Leonora Jakupi do te shfaqet me nje projekt te ri muzikor. Ajo madje ka publikuar edhe fotot e para se si do te duket pamja e kengetares ne kete videoklip.

Look-u i ri i Leonores eshte shume i pelqyer, dhe jo rastesisht disa here neper sondazhe eshte zgjedhur si nje nga kengetaret me te bukura shqiptare.

Kenget e saj gjithmone jane pelqyer shume nga publiku shqiptar dhe nuk dyshohet qe edhe kete radhe do te sjelle ndonje hit te ri me bashkepunetoret e saj.  PanoramaPlus

Argjentina Ramosaj luan me statusin ne Facebook

Written by admin on . Posted in VIP Lajme

Pas prezantimit te kenges “Si shiu” te gjithe syte e fansave tashme jane mbi Argjentinen, e cila me kete kenge po behet gjithmone dhe me e degjuar dhe e njohur. Ndaj kur Argjentina per disa momente nderroi statusin e saj ne “Facebook” duke e kthyer ne beqare, fansat nuk vonuan te pyesnin menjehere se cfare ka ndodhur.

Me pas, kengetarja e ka fshire kete postim duke lene kureshtare te gjithe ata qe e kane lexuar ne oret e para te dites se djeshme pa dhene nje pergjigje. Ndoshta do te kete qene thjesht nje shaka e Argjentines apo ndoshta nje grindje kalimtare e saj me te dashurin? Gjithsesi ne urojme qe vargjet e kenges se saj mos kthehen nje dedikim personal per kengetaren bukuroshe.  Koha Jone

Genta-Rubensi, shembull klasik i dhunës psikologjike

Written by admin on . Posted in VIP Lajme

Dialogu më i përfolur i javës ishte takimi i Gentës së “Big Brother” dhe ish-të dashurit të saj, Rubensit, pas fotove erotike të dala në shtyp.

Djali fillimisht e mohin se është ai njeriu që i ka publikuar, por në të njëjtën kohë, pranon se mund të bëhet fjalë për një rast hakmarrje, pasi Genta nuk iu bind dëshirës së tij për të mos u future në “Big Brother”.

Dhuna verbale, urdhëra si “pusho” apo “ulu atje”, si dhe mënyra se si bashkëbisedonte Rubensi me Gentën, të dashurën e tij të shtatë viteve, shokuan shumë prej ndjekësve të ngjarjeve në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.

Por, pikërisht sepse ky lloj komunikimi mund t’i ngjajë shumë diskutimeve të çifteve shqiptare, ai u shndërrua një temë kryesore debate në emisionin e “Pasdites”, në “Top-Channel”.

I pari që dha një koment rreth fenomenit ishte vetë Edgari, që ka qëndruar me Gentën në shtëpinë e “Big Brother” që prej fillimit të programit. “Kam qenë afër gentës në disa raste. Praktikisht është kjo Genta që unë njoh, një njeri i nënshtruar, që ka sjellje krejt të ndryshme në vetëm gjysmë ore. Kalon nga një rezistencë, sharje e qarje, duke qarë hallin apo duke i bërë një masazh njeriut me të cilin po zihej. Në shtëpi ajo ka folur me këdo për Rubensin, por jo me mua. Tentoi disa herë, por unë e ndieja që kishte diçka që nuk shkonte dhe i kërkoja që të më fliste duke më parë në sy, nëse donte një koment nga unë dhe ajo nuk ishte kurrë në gjendje ta bënte këtë. E ndieja se kishte diçka, por jo të këtyre përmasave dhe pastaj nuk është se më interesonte shumë atje brenda”.

Nga ana e saj, Arjana Muçaj, pedagoge e shkencave sociale, edhe ajo e pranishme në studion e “Pasdites”, u ndal në një analizë të detajuar psikologjike. “Genta ka patur fëmijëri të vështirë, ka ndjerë mungesën e prindërve që jetonin në emigracion dhe shpesh fliste për mungesën e të ëmës, që është figura kryesore për një fëmijë. Këtu flasim për problematika të ndryshme gjatë rritjes, që asaj i kanë munguar të dyja figurat për t’i trajtuar dhe ka patur nevojë për shembuj, për t’u udhëhequr në jetën e saj”.

Përsa i përket fotove erotike dhe sjelljes tepër autoritare të Rubensit, Muçaj komentoi: “Besoj se me ato foto ka dashur të imitojë diçka, pavarësisht se janë shumë intime. Mënyra si iu drejtua Rubensi, që në momentin që Genta hyri në dhomë, tregonin qartë për pushtetin e tij fuqiplotë mbi të. Genta u tregua e dobët edhe gjatë bisedës, ndërsa shpërthente shpesh në lot dhe në një moment pati luhatjen për t’u largua nga shtëpia e “Big Brother”. Megjithatë, autoriteti i tij vazhdonte ekziston edhe kur ata bisedonin, çka tregon se marrëdhënia e tyre është ndërtuar e tillë. Gentës, mungesa e modeleve i ka sjellë problematikën që ka si rrjedhojë e imazhit publik që ka ndërtuar tani, sepse tashmë është një figurë e njohur dhe për të gjithçka do të bëhet publike”.  TCH

Vajzat shqiptare nën dritat e Hollivudit

Written by admin on . Posted in VIP Lajme

Janë të shumta vajzat shqiptare që me talentin e tyre kanë mundur të trokasin në dyert e famës përtej Atlantikut. Shumë prej tyre e kanë nisur nga Shqipëria, e disa të tjera fati ka bërë që ta nisin larg prej këtu karrierën e tyre. Sot ne mund të krenohemi me to, me faktin që ato po e ngrenë lart emrin e Shqipërisë, me faktin që edhe ne kemi talente të krahasueshme me divat botërore, qofshin këto modele, këngëtare apo aktore. Të bukura, të talentuara dhe me një vullnet të hekurt ato ia kanë dalë.

Në këtë listë të vajzave shqiptare kemi përshirë disa prej tyre, të cilat aktualisht po lakohen në të gjithë botën. Emrat e tyre dhe prejardhja shqiptare po zënë faqet e tabloideve të huaja.

Rita Ora:

E para dhe më e përfolura e momentit është sigurisht këngëtarja Rita Ora. E rritur në Britani, vajza vetëm 22 vjeçe nga Kosova, është prezente në të gjitha faqet e shtypit të huaj. Kjo falë talentit dhe zërit të saj të mrekullueshëm, por edhe falë mbështetjes së madhe që po merr nga labeli i Jay-Z, bashkëshorti i një prej yjeve botëror më të famshëm e të suksesshëm, siç është Beyonce. Rita Ora me këngën e saj “Hot right Now” dhe R.I.P qëndron në krye të klasifikimeve britanike. E megjithatë ajo synon tregun amerikan, e mandej atë botëror.

Pushtimi i Rita Orës është i sigurt. Këtë e tregon më së miri vëmendja e shtypit ndërkombëtar dhe cilësimet e saj si magjia më e re e muzikës Pop-RnB. Madje përkufizimet e gazetës prestigjioze “The Sun”, se Rita është më e magjishme se Rihanna, tregon më qartë forcën e talentit të saj, që sa ka nisur të depërtojë në dyert e botës amerikane të shou-bizit. Ajo që vlen për t’u theksuar tjetër për Ritën është edhe lidhja e saj me vëllain e Kim Kardashian, Rob. Edhe pse këngëtarja ende nuk ka bërë asnjë prononcim lidhur me këtë marrëdhënie, ta pohojë apo mohojë atë, paparacët i kanë fotografuar duke u puthur së bashku në USA, gjatë qëndrimit të Ritës aty.

Eliza Dushku:

Aktorja shqiptare Eliza Dushku vazhdon me sukses projektet e saj në kinematografinë amerikane. E njohur për gjithë publikun shqiptar, sidomos për tatuazhin e saj me shqiponjën dykrenare që ia ka treguar gjithë botës, Eliza është padyshim një nga vajzat shqiptare më të famshme në Hollivud. Së fundmi Eliza Dushku do ta huazojë zërin në filmin e animuar “Hulk” dhe do të luajë për një sezon në serialin “Leap Year”. Aktorja po ashtu ka thënë se nuk do ta ndalë aktivitetin e saj humanitar me fëmijët e traumatizuar nga lufta e Ugandës. Dushku, pasi luajti “Catwoman” në animacionin e filmit të Batmanit, do të paraqitet edhe në një animacion tjetër. Është fjala për animacionin “Hulk and the Agents of S.M.A.SH”, ku ajo do të luajë zërin e “She Hulk”, përderisa lajmin e ka bërë të ditur njëri prej aktorëve të tjerë në këtë film, Adrian Pasdar. Pasdar, i cili ka huazuar zërin edhe te filmat e animuar “Iron Man”, “Ultimate Spider – Man”, ka thënë se bashkë më të do të jetë edhe aktorja shqiptare. Edhe Jeph Loeb nga kompania Marvel ka thënë se kjo seri do të dalë së shpejti në treg, por do të pushohet pak më shumë për shkak të filmit “Avengers”, që pritet të ketë një sukses të pakonsiderueshëm në botë. Kjo seri e filmave vizatimorë me Elizën pritet që të transmetohet në ABC, ka thënë ndër të tjera Jeph Loeb. Por, këto nuk janë të rejat e vetme të Elizës. Aktorja pritet që gatë këtij vit në CV-në e saj të luajë si mysafire në serialin shumë të shikuar “Leap Year”. Sipas producentëve të këtij seriali, Dushku pritet të rishfaqet gati gjatë gjithë sezonit në rolin e June Pepperit, që është një hakere ekscentrike e kompjuterëve, e cila fillon një histori si inxhiniere lidere me kompaninë C3D. Dushku në këtë seri do të paraqitet po ashtu përkrah disa aktorëve të tjerë të njohur si Craig Bierko, Joshua Malina, Julie Warner, Steven Weber dhe ish-kolegia e saj nga seriali Buffy, Emma Caulfield. Paraqitja e parë në sezonin e dytë të “Leap Year” pritet të bëhet më 18 qershor.

Angela Martini:

Bukuroshja shqiptare Angela Martini, e përzgjedhura si një ndër 10 më të mirat në “Miss Universe 2010”, duket se e ka gjetur rrugën e duhur drejt famës. Martini është cilësuar si një nga modelet më të veçanta, falë tipareve të saj mesdhetare dhe formave të lakuara në kufijtë e perfeksionit. Aktualisht Angela po merret me lançimin e linjës së saj të të brendshmeve, ku modelja më e mirë për t’i reklamuar është vetë ajo.

Modelja bukuroshe Martini diti të tërheqë vëmendje e shtypit të huaj me një sërë provokimesh, si përfolja për lidhje me Kanye West, Craig David, apo edhe skandali i saj në “Cfda Fashion Awards”, ku i habiti të gjithë paparacët për shfaqjen e saj me një fustan tepër të hapur dhe pa asgjë poshtë. Të gjitha këto, pa hequr aspak vlerën e bukurisë së saj, e kanë bërë Angelën të jetë një nga modelet shqiptaret më të lakuara të viteve të fundit.

Bleona Qerreti:

Me siguri që të gjithë shqiptarët po presin momentin kur Bleona do të lançojë këngët e saj të reja të punuara në Amerikë në studiot e Timbaland. Ka më shumë se një vit që Bleona Qerreti po përgatit terrenin për suksesin e saj në muzikë. E megjithatë, ajo vazhdon të na befasojë ditë pas dite me të rejat e saj. Në një intervistë të fundit për mediat tona ajo rrëfente miqësinë e saj me Al Pacinon. Por surprizat e saj nuk mbarojnë këtu.

Bleona tani do të provojë tashmë edhe eksperiencën e saj si aktore. Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja në faqen zyrtare të saj në Twitter  vetëm pak ditë më parë, ku ka shkruar: “Hello Albania, shumë shpejt do të dëgjoni surprizën time të radhës, ku unë luaj në një film që shumicën e kohës flas shqip! Nuk ju them dot më shumë, ju dua shumë, shumë, shumë, god bless Albania!” është shprehur ajo, ndërsa më vonë zbuluam se bëhet fjalë për një film të cilin ajo do ta luajë përkrah një aktori shumë të famshëm hollivudian.

Emine Cunmulaj:

Pa dyshim Emine Cunmulaj është modelja shqiptare më e njohur në botë, status të cilin ajo e ka arritur me shumë punë e përpjekje. Emine Cunmulaj, 27–vjeçare, prej vitesh jeton në SHBA dhe është një nga figurat e njohura të botës së modës. Ajo ka sfiluar në pasarelat e Nju–Jorkut, Parisit, Londrës, Milanos etj. Pak modele kanë pasur rastin të pozojnë për kopertinat e revistave më të njohura botërore, si: “Vogue”, “Elite” dhe “Fashion”,  në të cilat shqiptarja Emine ka qenë shpesh në cover. Së fundmi, e larguar disi nga bota e pasarelave, Emine po kërkon suksesin përtej të qenit si modele. Ajo tani i ka hyrë kinematografisë.

Vetëm pak kohë më parë, pikërisht më  25 shkurt në Los Angeles u shfaq premiera e filmit “Virgin Eyes”, me regjisor Roxine Helberg. Në një nga rolet kryesore të këtij filmi e luan shqiptarja Emina Cunmulaj. Filmi është pritur mirë dhe tani ngelet të shohim të rejat e tjera në këtë rrugë të re drejt kinematografisë së Eminesë. A do të arrijë apo jo të ketë po të njëjtin sukses si modele edhe në aktrim këtë vetëm koha do ta tregojë.

Gazeta Mapo

Parashqevi Simaku, pas divorcit zbulon fotot topless

Written by admin on . Posted in VIP Lajme

Prej dy dekadash u tërhoq nga skena shqiptare në kërkim të një jete më të mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që deri diku edhe e gjeti. Parashqevi Simaku, këngëtarja që tundi muzikën shqiptare në fund të viteve ’80, u shfaq në koncerte të mëdha nëpër diasporë, por edhe me një mashkull në krah, i cili më pas u bë bashkëshorti i saj.

Por prej dy vitesh duket se nuk ka më asnjërën prej atyre që gjeti, përveç një djali nga martesa e shkurtër. Parashqevi Simaku është divorcuar nga bashkëshorti dhe nga skena. Të paktën kështu thonë miqtë e saj, ndërkohë që në profilin e saj personal në facebook ajo ka hequr të dhënat lidhur mbi gjendjen civile, si edhe fotografitë që ka pasur me të shoqin.

Ka lënë vetëm ato të saj, si dhe të djalit. Ndërkaq, qindra pyetje i bëhen nga miqtë në FB, se me çfarë po merret kohët e fundit, ku performon dhe si po i shkon jeta private. Pyetje që kanë mbetur që të gjitha pa përgjigje prej më se një viti, pavarësisht se është aktive herë pas here me komentet e saj mbi çështje të përgjithshme, kryesisht filozofike, pa lidhje me muzikën.

Ajo duket krejt e tërhequr nga bota muzikore, por jo nga nostalgjia. Duke vëzhguar një tjetër profil të saj, kësaj here në myspace.com, zbuluam foto që nuk i kishim hasur kurrë më parë. Një Parashqevi vogëlushe me shami pionieri, duke kënduar në pallatet e kulturës së diktaturës komuniste, por edhe një Parashqevi seksi duke pozuar me veshje të brendshme prej dantelle dhe mëndafshi. Madje, gjetëm edhe një foto topless. Për kuriozët ky është linku http://www.myspace.com/simaku/photos.

Dhe diçka tjetër për ta kujtuar më saktë: Parashqevi Simaku lindi më 1 shtator 1966. Ajo lindi në Kavajë dhe më pas u shpërngul në Durrës. Ka kënduar në shumë festivale dhe koncerte të pranverës. Në vitin 1988 fitoi çmimin e parë të Festivalit të 27-të të Këngës në RTSH me kompozimin e Piro Çakos “E duam lumturinë”. Pas vitit 1991, ajo u largua në SHBA, duke u marrë edhe atje me muzikën dhe duke nxjerrë një album.

Hera e fundit që u shfaq në Shqipëri si këngëtare ishte viti 1996, në Festivalin e 35-të të Këngës në RTSH. Ishte e ftuar speciale. Vite më vonë, ajo shkeli sërish në Shqipëri, por thjesht për vizita private. Sakaq në setin e fotove të saj, mungojnë pozimet e viteve të fundit. Megjithatë ne e gjetëm një, që për hir të së vërtetës, është e transformuar totalisht. Një Parashqevi e pakuruar dhe në mbipeshë. Gati-gati nuk njihet fare….  PanoramaPlus

Air Kosova
Kosmobile - Kosova Mobile
Shpallje