Dhunë në Ballsh, tifozët godasin me gur anësorin

Written by admin on . Posted in Sport

BALLSH- Ka përfunduar me një incident të rënda ndeshja mes Bylisit dhe Flamurtarit, e luajtur në Ballsh. Në minutën e 94-t të takimit, tifozët kanë goditur me gur në fytyrë arbitrin anësor Ermal Barushi, i kolegjiumit të Tiranës. Ngjarja e rëndë ka bërë që gjyqtari kryesor Artan Taullaraj ta mbyllte takimin 30 sekonda përpara kohe, ndërkohë që veprimi ka qenë tejet i çuditshëm. Vlonjatët ishin duke fituar 3-1 me meritë, pas një pjese të dytë të jashtëzakonshme, por tifozët vendas duket se nuk kanë qenë dakord me këtë, duke shfryrë inatin tek arbitri dhe duke e goditur atë keqazi në fytyrë. Anësori Barushi ka pësuar një hematomë të madhe në fytyrë dhe gjendja e tij nuk ka qenë aspak e mirë.

“Ishte një veprim i çmendur, pasi Flamurtari ishte duke fituar me meritë në fushë. Nga ajo që kemi mësuar nga delegati, guri ka qenë i përmasave të mëdha, sepse hematova është vërtet e madhe”, ishte reagimi i zyrtarëve të Federatës për këtë ngjarje.
Goditja e anësorit Barushi erdhi vetëm një ditë pasi deputeti i Peqinit Dashnor Sula tentoi të godiste arbitrin Albano Janku, në ndeshjen mes Shkumbinit dhe Laçit, e përfunduar 1-1. Ngjarja e djeshme tregoi se dhuna në futbollin shqiptar është rikthyer sërish, ndonëse jemi vetëm në javët e para të kampionatit. “Do të ketë masa të forta për të dyja rastet”, bënë të ditur burime zyrtare nga FSHF. Kësisoj, të dy klubet rrezikojnë penalizim të fushës dhe nga një gjobë të majme nga ana e Komisionit të Disiplinës, për shkak se dhuna është ushtruar ndaj zyrtarëve të ndeshjes, arbitrave.
Ndeshja
Përsa i përket ndeshjes, Flamurtari triumfoi 3-1 ndaj Bylisit në Ballsh, duke arritur fitoren e parë në transfertë për këtë sezon. Një 3-pikësh i artë për skuadrën nënkampione të vendit, e cila i afrohet kreut të renditjes që mbahet nga dyshja Tirana-Teuta. Ndeshje e çuditshme ajo e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça”, ku vlonjatët kishin kohë që nuk fitonin. Vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 35-të të pjesës së parë, me anë të Fjodor Xhafës, që goditi bukur nga jashtë zone. Në pjesën e dytë gjërat në fushë kanë ndryshuar totalisht. Flamurtari është hedhur i gjithi në sulm dhe në minutën e 65-të ka barazuar me anë të Njazi Lenës. 8 minuta para fundit ishte talenti Vilfor Hysa ai që shënoi golin e avantazhit, duke shokuar tifozët ballshiotë. Vendasit u hodhën në sulm për të gjetur golin e barazimit, por pësuan edhe një tjetër, këtë herë me autor kapitenin Artan Sakaj. Fitorja e djeshme e ngjit Flamurtarin në kuotën e 15 pikëve, 1 më pak se Tirana e Teuta. Edhe pse pësuan shumë ndryshime në merkaton e verës, vlonjatët duket se do të jenë sërish rivalë për titull, në një kampionat, ku përveç Tiranës, ekipet e tjera nuk duken aspak të frikshme.
(m.a/BalkanWeb)

Tags: , , , , , , , , ,

Trackback from your site.

Leave a comment

Shpallje
Kosmobile - Kosova Mobile
Air Kosova