Duro: Unë dhe Sela nuk kemi pasardhës në Kombëtare

Written by admin on . Posted in Sport

Duro: Un dhe Sela nuk kemi pasardhs n KombtareTIRANE-Miqësoren Shqipëri-Moldavi e ka përcjelë me emocion dhe me syrin kritik, sepse ai e njeh mirë ambientin kuqezi, si dhe lojën e kësaj skuadre. Ka luajtur për më shumë se një dekadë me Kombëtaren dhe aktualisht është një nga lojtarët me më shumë ndeshje me këtë skuadër. Thënë kjo, mendimi i tij ka peshë, sidomos kur flitet për “xholin” kuqezi, për lojtarin që organizon lojën, pikërisht ai që i ka munguar skuadrës sonë nën drejtimin e De Biazit, por që më së shumti u vu re në përballjen me Moldavinë. I ndodhur në tribunën e “Qemal Stafa”-s, Klodian Duro e ka disi më të lehtë për të bërë një analizë të hollësishme të asaj që nuk shkoi si duhet në skuadër.
Keni qenë në tribunën e “Qemal Stafa”-s ndaj Moldavisë, ç’ndjesi ju dha ky takim?
Pashë një skuadër që kishte dëshirë për të bërë mirë, por fizikisht nuk ishte në top-formën e vet. Kjo vetëkuptohet, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve nuk i kanë nisur ende kampionatet, si dhe vijnë nga faza përgatitore me ngarkesa të larta, por me këtë nuk është se po dua t’i justifikoj kolegët e mi. Natyrisht, duhej të kishim fituar, pasi një rezultat pozitiv sjell gjithnjë moral, sidomos kur përpara ke një ndeshje zyrtare si ajo me Qipron.
Si e shikoni aktivizimin e shumë lojtarëve të rinj nga ana e De Biazit?
Është pa diskutim pozitive. Kjo, pasi çdo trajner duhet të mendojë jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Megjithëse problemi tani nuk qëndron te trajneri, por te vetë lojtarët. Këta duhet të kuptojnë se të luash me Kombëtaren është totalisht tjetër gjë. Ke shumë herë më shumë përgjegjësi, pasi të shikon një publik i tërë. Nëse një gabim kur luan me klubin, ndoshta nuk vërehet fare, por kur luan me Kombëtaren ndikon jashtëzakonisht shumë. Këtë gjë shikoj se lojtarët e rinj nuk kanë arritur ende që ta perceptojnë si duhet. De Biazi u ka dhënë një shans të artë, ndaj ata duhet ta vlerësojnë në maksimum.
Nga porta në sulm, ku patë më shumë probleme në ndeshjen ne Moldavinë?
Në mesfushë pa dyshim. Shikoni në portë, mbrojtje dhe në sulm fatmirësisht ne kemi gjetur qetësi, pasi kemi lojtarë realisht me përvojë dhe të mirë që mund të nxjerrin nga situata të pa këndshme në çdo moment. Por, nuk mund të them të njëjtën gjë për mesfushën, aty ku realisht mungon një organizator.
Në fakt e tha edhe De Biazi një gjë të tillë…
Po, sigurisht, se ai e di se ku i çalon skuadra.
Duket sikur nuk ka ende një lojtar që të mund të zëvendësojë Skelën, apo jo?
Për fat të keq, ende jo. Hyka dhe Bakaj luajnë më shumë në krah dhe jo si organizatorë. Kjo u pa më së miri edhe në ndeshjen e djeshme (pardje). Ata janë lojtarë me cilësi të padiskutueshme dhe më besoni se i njoh fare mirë, por nuk mund të bëjnë dot atë që bënte Skela, ose edhe unë në mjaft raste. Madje, e them pa modesti, se ndeshjet e mia më të mira i kam pasur kur kam luajtur në rolin e një organizatori të mirëfilltë. Gjithsesi, edhe kur luaja pas me Bulkun kishim rezultat.
Dakord, por as në rolin tuaj nuk u pa ndonjë lojtar i denjë për t’ju zëvendësuar, apo jo?
Në fakt, trajneri provoi në fillim Memushajn aty, më pas Vilën dhe Zeqirin, por asnjëri prej tyre nuk arriti që të bënte lidhjen mes mesfushës dhe sulmit. Në mjaft raste, po ta vije re, Bulku ishte i vetëm dhe nuk arrinte dot që edhe të luante rolin e shkatërruesit, por dhe të organizatorit. Gjykoj se në këtë pikë De Biazi duhet të ndërhyjë shpejt, pasi ndeshja me Qipron është afër.
Në fakt pas ndeshjes Bulku u ankua se nuk rikuperonte topin, por më pas nuk kishte se kujt t’ia pasonte që ky i fundit të mund të organizonte sulmin…
Pikërisht, kjo gjë u vu re dhe të gjitha rastet tona te porta e moldavëve erdhën nga krosime nga krahët, Agolli dhe Roshi dhe jo nga loja organizative në mesfushë.
Nëse do të ishit ju ndaj Moldavisë në fushë, si e shikonit veten?
Nuk e di, do të luaja aty ku do më thoshte trajneri. Megjithëse, duke parë problematikën, ndoshta do të kthehesha në kohën kur bëja organizatorin, sikundër me Danimarkën, Portugalinë, e shumë ndeshje të tjera ku ne kemi marrë rezultat.
Aktualisht Jahmir Hyka ka marrë fanellën me numrin 10 që mbanit ju. Mendoni se e meriton, apo duhej të ishte dikush tjetër?
Shikoni, numri në fanellë nuk ka shumë të bëjë, për më tepër në Kombëtare. Ajo që vlen, është çka jep për atë skuadër. Ndërsa gjykoj se secili nga këta lojtarë të rinj duhet të jenë shumë herë më të përgjegjshëm për ngjyrat që mbrojnë, jo për numrin që mbajnë pas.
Skela, Lala u larguan definitivisht nga Kombëtarja, por ju nuk e keni shprehur asnjëherë një gjë të tillë….
Lala dhe Skela e kanë lënë futbollin, ndërsa unë ende jo, ndaj nuk ka arsye që ta them. Jam ende aktiv dhe luaj në një skuadër si Tirana, me tradita në futbollin shqiptar. Nuk kam bërë asnjëherë polemika për Kombëtaren, por kam thënë dhe e them se: nëse do t’i nevojitem trajnerit, do jap kontributin tim.

(d.b/PanoramaSport/BalkanWeb)

Trackback from your site.

Leave a comment

Air Kosova
Kosmobile - Kosova Mobile
Shpallje