Floriana Garo: Unë, “Vajza e Motit”, me ëndrra të mëdha për televizionin
Floriana Garo, prezantuesja e Motit në televizionin “ABC News” është bërë një nga imazhet më të dashura dhe të pëlqyera të ekranit. Kjo për vetë natyrën, ëmbëlsinë dhe thjeshtësinë që ajo përcjell edhe atëherë kur thotë se moti do të jetë i vranët, kur ne mezi presim ditët e nxehta…! Me të drejtë, Arian Çani e ka cilësuar “Miss Moti”. Me mjaft intuitë u tregua edhe kompania “Cortefiel” kur zgjodhi pikërisht Florianën si imazh të saj.
E sigurt në këtë sukses që duket gjithmonë në rritje, “Geraldina Spossa” vendosi që Floriana të ishte mes personazheve të njohur modele në sfilatën që realizoi pak ditë më parë në Tiranë… Kjo sepse Floriana i ka të gjitha premisat për të mbizotëruar në pasarelë, për të tërhequr në ekran, e për të qenë një nga figurat më premtuese të së ardhmes. Në këtë intervistë për “Summer Time”, Floriana na tregon më tej rreth vetes së saj….
Floriana, këtë javë morët pjesë në një sfilatë fustanesh nusërie. Çfarë emocioni ndjetë?
Pata emocione për faktin se “Geraldina Sposa” është një emër shumë prestigjioz dhe unë doja ta përfaqësoja denjësisht. Krahas kësaj, kjo ishte sfilata ime e parë në Shqipëri dhe unë doja të krijoja një imazh pozitiv tek publiku.
Të prezantosh Motin çfarë do të thotë për ju?
Është diçka e këndshme të njihesh si “Vajza e Motit”, dhe e konsideroj si një fillim të mbarë të karrierës sime në televizion. I jam shumë mirënjohëse “ABC News ” që ma ka of ruar këtë mundësi, duke përmbushur kështu një nga pasionet e mia të hershme. Duke më njohur, njerëz të zakonshëm më pyesin vazhdimisht si do të jetë moti dhe unë ju kthej përgjigje me shumë kënaqë- si.
Mendoni se është mënyra më e mirë për të hyrë në televizion?
Është një mënyrë e mirë, sepse të jep mundësinë që t’i arrish gjerat gradualisht. Të jep mundësinë ta provosh veten se ku je, të shohësh progresin dhe efektin që krijon imazhi yt tek publiku. Ndërkohë, arrin të krijosh një ide më të qartë për të ardhmen në televizion.
Të qenit imazh i “Cortefiel”, ju ka bërë më të famshme. Ju vetë si e keni përjetuar?
Ka qenë një mundësi shumë e mirë që më është ofruar dhe unë e kam pranuar pa hezitim. “Cortefiel” është një firmë shumë prestigjioze dhe unë ndjehem e nderuar që jam imazh i saj në Shqipëri. Së bashku me Drinin, Bojkenin dhe të gjithë stafin e angazhuar gjatë xhirimeve të reklamave kemi bërë një punë të mirë. Reklamat janë pëlqyer shumë dhe unë jam shumë e lumtur për këtë.
Floriana, jashtë ekranit çfarë natyre jeni?
Më pëlqen ta jetoj jetën në maksimum. Mundohem të mos e shpërdoroj kohën dhe të arrij gjithmonë objektivat që synoj. Më pëlqen të udhëtoj, të darkoj jashtë, të ndjek modën, të lexoj, të kaloj kohë me të fejuarin tim dhe miqtë e mi të ngushtë. Jam natyrë tolerante, liberale, e çiltër, dhe e mbushur me ëndrra për të ardhmen.
Çfarë angazhimesh të tjera keni përveç spikeres së Motit?
Unë vazhdoj masterin në Marrëdhënie Ndërkombëtare, kështu që shkolla zë një vend të konsiderueshëm në aktivitetet e mia. Krahas kësaj janë punët e ndryshme të modelingut.
Arian Çani ju ka quajtur “Miss Moti”. Keni aspiruar dhe jeni bërë pjesë ndonjëherë e ndonjë kompeticioni bukurie?
Kam aspiruar shumë herë kur isha më e vogël, por jetesa ime në SHBA, angazhimet me shkollën, volejbollin, dhe punën nuk ma kanë mundësuar këtë gjë deri tani. Megjithatë jam ende në kohë. (qesh).
Meqë jemi në sezon veror e keni zgjedhur periudhën e pushimeve?
Po, kam një plan që të shkoj në Kinë këtë verë. Ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja të shoh atë pjesë të botës dhe jam e lumtur që jam shumë pranë kësaj ëndrre. Ndoshta bashkë me të fejuarin tim, bëjmë edhe një udhëtim në Cote D’ Azur.
Si njohëse e Motit kur do të jenë javët më të nxehta për të pushuar shqiptarët këtë verë?
Unë e marr të saktë informacionin e motit vetëm për 2-3 ditët e ardhshme, megjithatë, mund të aludoj se Gushti do të ketë javët më të nxehta për të pushuar. Sipas informacionit të MeteoAlb, deri në korrik do të ketë herë pas here reshje shiu, të cilat do t’i ulin disi temperaturat. Gazeta Koha Jone
Tags: Floriana Garo, Geraldina Sposa, Geraldina Spossa, SHBA, Tiran Kjo
Trackback from your site.






