KLSH: ALUIZNI Vlorë, 35 mln lekë dëm shtetit
TIRANE-Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka bërë publike sot rezultatet e auditimit të ushtruar në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale Drejtoria Rajonale e Qarkut Vlorë ku janë vërejtur shkelje të rënda, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 35,558,101 lekë.
Auditimi, i cili ka patur si objekt ‘Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare” ku ndër drejtimet kryesore të Auditimit ka qenë “Zbatimi i procedurave ligjore në legalizimin e ndërtimeve informale”, është kryer për periudhën 2008- 2011.
Në bazë të njoftimit të KLSH-së Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga 841 dosje të pajisura me leje në këtë periudhë, u kontrolluan 76, ose më pak se 10 përqind e tyre. Ku 70 ose mbi 90 përqind kanë dalë me probleme.
Dokumenti me shkeljet e gjetura:
Për periudhën objekt auditimi, në kundërshtim më nenin 2, pika 4, pikën 5, nenet 17, 27,29 dhe 30 të Ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, dhe VKM nr. 438, datë 28.06.2006 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, si dhe VKM nr. 411, datë 19.5.2010, janë miratuar leje legalizimi:
- në monument kulture.
- në studim urbanistik dhe në rrugë.
- mbi kolektor.
- në studim urbanistik, në zona të gjelbra dhe në rrugë.
- në studim urbanistik 6-8-10 kat (nga të cilat 4 raste edhe me pronar).
- është legalizuar ndërtim i vjetër.
- në rrugë kombëtare.
Për periudhën objekt auditimi, nga 120 dosje të përfunduar e të dërguara nga Drejtoria Rajonale në Drejtorinë Qendrore të ALUIZNI-t, për t’u pajisur me Leje Legalizimi u audituan 48 prej tyre dhe u konstatua se:
- në 17 raste për 3,159.6 m2 e ka ndarë parcelën ndërtimore, e cila duhet shitur me vlerën e tregut, ndarje kjo në kundërshtim me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje“ nenet 19 dhe 20, duke i shkaktuar si rrjedhojë një dëm Buxhetit të Shtetit për fondin e kompensimit në shumën 35,316,286 lekë.
-në 10 raste, në shumën 429,455 lekë në është paguar më pak Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë, çka përbën dëm ekonomik.
- në 1 rast, objekti nuk ndodhet në ortofoton dixhitale të datës 17.04.2007, por është vazhduar procedura e legalizimit duke vepruar në kundërshtim me Ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.
KLSH ka rekomanduar edhe një serë masash si; shpërblimin e dëmit të shkaktuar në 29 raste, në shumën 35,558,101 lekë, kërkesën për shfuqizim të lejeve të legalizimit të dhëna në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, korrigjimin e kontratave për kalimin e pronësisë së truallit në kundërshtim me VKM përkatëse, plotësimin e dokumentacionit ligjor të konstatuar me mangësi nga auditimi dhe në vazhdimësi.
KLSH i ka rekomanduar gjithashtu ALUIZNI-t të qarkut Vlorë fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore paralajmërim/zgjidhje të kontratës së punës për 4 persona, ndërkohë që për 12 të tjerë kjo masë konsiderohet e ezauruar, pse tashmë janë larguar nga puna.
Në bazë të shkeljeve të gjetura KLSH ka depozituar dy kallëzime penale në organin e Prokurorisë të rrethit Vlorë.
(d.b/BalkanWeb)
![]()
Tags: ALUIZNI, Drejtorin Qendrore, Informale Drejtoria Rajonale, KLSH, Leje Legalizimi, TIRANE, VKM, Zonave Nd
Trackback from your site.



