Kombëtarja, një histori me akuza për trukime
TIRANE-Akuzat për trukime të ndeshjeve nga kombëtarja shqiptare nuk janë të reja, por dy ditë më parë ato arritën në një stad tjetër, pasi një person i botës së krimit është përgjuar duke thënë se ka biseduar me trajnerin e Shqipërisë (Josip Kuzhe) për këtë. Përgjimet e nxjerra në dritë nga mediat greke, shtojnë akoma më shumë dyshimet se edhe me ekipin kombëtar, që për të gjithë shqiptarët konsiderohet i shenjtë, nuk mungojnë “matrapazllëqet”. “Fola me trajnerin e Shqipërisë, luajnë dy miqësore, me Argjentinën dhe me Malin e Zi, – thotë personi i quajtur portu-gezi, gjatë një përgjimi me një kokë të botës së krimit, Markos Karamberis. – Më tha që për miqësoren me Malin e Zi mund të bëjmë ç’të duam. I thashë që të kam kërkuar, sepse të dielën kisha një ndeshje të fiksuar”, thotë më tej ky person. Nga biseda, kuptohet qartë që ai e njihte mirë Kuzhen, madje mund të supozohet se kanë patur edhe miqësi në të shkuarën.
Vata-Strakosha
Historia më e re e trukimeve, që lidh drejtpërdrejt kombëtaren shqiptare me bastet, është e fundit e një vale akuzash që kanë përfshirë këtë ekip në të shkuarën. Në vitin 2005, ish-kapiteni i përfaqësueses Rudi Vata, akuzoi ish-portierin Foto Strakosha, se për ndeshjen e nëntorit 1996 kundër Uellsit, i kishte “ofruar” 50 mijë euro që ta manipulonin. Mes tyre plasi një debat i nxehtë me akuza e kundërakuza, ndërkohë që në krah të Vatës doli edhe ish-trajneri Neptun Bajko, i cili tha se dyshonte që futbollistët ia shitën atë ndeshje. Gjithçka u mbyll me një debat televiziv, me anë të të cilit FSHF kërkonte ta mbylltë këtë debat, që për herë të parë krijoi dyshime mbi vërtetësinë e ndeshjeve të kombëtares.
Bariç
Historia vijoi më pas me fundin e vitit 2007, kur kombëtarja drejtohej nga Oto Bariç. Në dy ndeshjet e fundit, në nëntor të atij viti, Shqipëria duhet të fitonte me Bjellorusinë për të zënë vendin e katërt në grup dhe për të arritur një rekord pikësh. Kombëtarja ishte në formën e saj më të mirë, por në fushë, shumë gjëra rrodhën ndryshe. Kuqezinjtë u mundën 2-4, në një sfidë që nuk u mor vesh aspak se si nisi dhe si mbaroi. Menjëherë më pas nisën akuzat, por ato u shtuan kur 4 ditë më pas, Shqipëria u mposht 6-1 në Bukuresht nga Rumania, një skuadër që e kishte siguruar kualifikimin. Bariç dha dorëheqjen, ndërsa në gjithë vendin u përfol se lojtarët hapën portën, pasi ndeshja ishte rregulluar në baste. Ish-trajneri Oto Bariç nuk ngurroi të akuzonte lojtarët, duke thënë shprehimisht: “Kisha dëgjuar se në kombëtaren shqiptare janë dy lojtarë që merren me trukime ndeshjesh dhe bëra gabim që nuk i hoqa. Dyshoj shumë për ndeshjen me Rumaninë, se ajo u manipulua”.
Berisha
Duke parë valën e akuzave që shpërtheu gjithandej, në fund të vitit 2007 nuk mungoi as një reagim i kryeminstrit Sali Berisha. Ai nuk ngurroi të sulmonte federatën e futbollit për gjithçka ndodhi në Bukuresht. “Ç’janë këta njerëz? Ç’janë këta që luajnë me ndjenjat e popullit dhe bëjnë këto gjëra. Ajo që ndodhi është e patolerueshme, kombëtarja shiti flamurin në Rumani. Unë e pata parë edhe atë ndeshjen me Holandën, që për mendimin tim ishte një humbje-fitore. Më pëlqente ai trajneri kroat, por donin ta hiqnin dhe e hoqën”, tha kryeministri. Ish-ministri Pango më pas kërkoi hetim, por forca e FIFA-s dhe UEFA-s edhe në këtë rast bënë që FSHF t’ia hidhte pa u lagur. Nën ndikimin e FSHF-së, ato kërcënuan Shqipërinë me përjashtim dhe në fakt, kështu ndodhi. Megjithatë, ajo çfarë ndodhi në ndeshjen Rumani-Shqipëri 6-1 mbetet ende e pasqaruar edhe sot.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
![]()
Tags: Bari Historia, Berisha Duke, Foto Strakosha, FSHF, Neptun Bajko, Rumani Shqip, TIRANE, Vata Strakosha Historia
Trackback from your site.



