Kuvendi vendos për mbështetetjen e Haredinaj në Hagë
PRISHTINË – Kuvendi i Kosovës, në një mbledhje të jashtëzakonshme sot ka mbështetur rekomandimet e grupit të deputetëve, për përkrahje materiale e juridike për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj dhe shokët e tij para Tribunalit të Hagës.
Debati që u zhvillua u dominua nga bindja se Kuvendi i Kosovës i beson drejtësisë ndërkombëtare, por është i bindur në pafajësinë e Ramush Haradinajt dhe të shokëve të tij, Idriz Balajat e Lahi Brahimajt. Ndërkohë me kërkesë unanime të 70 deputetëve, pjesëmarrës të kësaj seance, deputetët kosovar i jane drejtuar Tribunalit të Hagës, për përshpejtimin e procesit ndaj Haradinaj dhe shokëve të tij.
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi tha para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se do të ofrojë mbështetje për liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe shokët e tij, që po mbahen në Hagë.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën u diskutua për ish-kryeministrin Ramush Haradinajn, u tha se nuk është në pikëpyetje vetëm fati i një individi por lufta e drejtë e UÇK-së.
Në këtë seancë, kryeministri Thaçi premtoi mbështetje për luftëtarët e UÇK-së, aq sa e lejon ligji dhe Kushtetuta e Kosovës, duke shprehur besimin në luftën e drejt të UÇK-së dhe pafajësinë e Haradinajt.
Ndërkaq, iniciuesi i këtij debati, Ahmet Isufi kërkoi që Haradinajt t’i jepet mbështetje institucionale. Sipas tij, Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij po mbahen pa të drejtë në Hagë. Mbështetje për liderin e AAK-së kanë dhënë edhe grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkohë, Fatmir Limaj tha se për Haradinajn dhe shokët, nuk mjafton vetëm mbështetja deklarative. Ai tha se institucionet e Kosovës, duhet të jenë më konkret në këtë ndihmë. Limaj, kërkoi që në fund të debatit të nxirret një rekomandim dhe të krijohet një fond i veçantë për të mbrojtur luftëtarët e UÇK-së.
(e.m/koha/BalkanWeb)
![]()
Tags: AAK, Ahmet Isufi, Hashim Tha, Idriz Balajat, Lahi Brahimajt, Ramush Haradinaj, Ramush Haradinajn, Ramush Haradinajt
Trackback from your site.



