LDK: Vizita e Thaçit në SHBA marketing politik

Written by admin on . Posted in Lajme

Mos mbajtja e takimit të paralajmëruar të kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama nuk ka kaluar pa u komentuar as në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Përderisa zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) thonë se takimi ka qenë i planifikuar, nëse e lejonte agjenda e presidentit Obama, zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), thonë se kjo vizitë është munduar të shfrytëzohet për marketing politik dhe se është gabim i rënë pretendimi për të fituar kapitale politike edhe në situata të këtilla.

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili po qëndron për një vizitë në SHBA, ka zhvilluar një seri takimesh, si me sekretaren e shtetit, Hillary Clinton dhe zëvendës presidentin amerikan, Joe Biden. Gjithashtu, një takim është zhvilluar edhe me ish-sekretaren e shtetit Medelin Allbright.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i pyetur se a ka qenë zyrtarisht i paraparë takimi me presidentin Obama, ai ka thënë se ka qenë i paraparë nëse e lejonte agjenda e presidentit amerikanë.

“Vizita e kryeministrit Thaçi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës besoj që e gëzonë çdo qytetar. Ka pas vizita më të larta të niveleve shtetërore. Për shkak të agjendës së Obamës dhe nuk ka qenë e definuar saktësisht se a do të ketë takim apo jo. Por nëse agjenda e presidentit Obama lejon atëherë do të ketë takim edhe me presidentin Obama”, ka deklaruar Grabovci.

Nga ana tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se PDK-ja është munduar që ta shfrytëzojnë këtë vizitë për marketing politik. Gjithashtu e ka vlerësuar si humbje mos mbajtjen e këtij takimi.

“Nuk mundem me komentuar… Janë munduar me bë marketing me vizitën. Vizita në SHBA është gjithmonë e rëndësishme e cilitdo përfaqësues edhe në këtë rast kryeministrit Thaçi dhe më vjen keq që nuk ka mundur me takuar Obamën dhe është një humbej që nuk ka mundur dhe nuk duhet me kapitalizuar për politikë të brendshme vizitën në Amerikë. Vizita në Amerikë është në vazhdën e raporteve të mira që Kosova dhe përfaqësuesit e Kosovës kanë me SHBA-të”, ka thënë deputeti Gashi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi po qëndron për vizitë disa ditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitakun. (Kosovapress)

Shpërndaje:

  • Printo
  • Email

Tags: , , , , , , ,

Trackback from your site.

Leave a comment

Air Kosova
Kosmobile - Kosova Mobile
Shpallje