Napoli-Lacio, grushta mes De Laurentis dhe Lotitos
ITALI- Fjalë të pista, shtyrje, një grusht i dhënë mes shpatullës dhe fytyrës, një tentativë reagimi e Adriano Galianit dhe drejtorit të përgjithshëm Pietro Lo Monako dhe në fund paqja e vendosur nga Mauricio Bereta. Mbledhja krerëve të Ligës Italiane të Futbollit të martën në mbrëmje, është shndërruar për pak në një arenë boksi. Protagonistë kanë qenë presidenti i Napolit Aurelio De Laurentis dhe ai i Lacios Klaudio Lotito.
Mesa duket, gjithçka lidhej me rindarjen e parave nga të drejtat televizive. Lotito ka pretenduar që Lacio meritonte një kuotë më të lartë se Napoli, ndërkohë që De Laurentis ka marrë “zjarr” shpejt, duke e quajtur klubin e tij më me peshë. Nga fjalët, është kaluar shumë shpejt te veprat, me presidentin e Napolit që menjëherë u lëshua të godiste me grusht atë të Lacios.
Kanë ndërhyrë të gjithë, duke nisur nga Galiani e Lo Monako, por sërish kontakti fizik ndodhi, ndonëse jo aq i rëndë. Në këtë mënyrë, ndeshja e së dielës mes Napolit dhe Lacios pritet të ketë edhe një tjetër duel. Atë të tribunës, mes dy drejtuesve. Ndoshta për momentin është arritur paqja, por kur në mes janë paratë, ajo duket e vështirë të zgjasë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
![]()
Tags: Adriano Galianit, De Laurentis, Lacios Klaudio Lotito, Lo Monako, Mauricio Bereta, Pietro Lo Monako
Trackback from your site.



