Presidentja e Republikës së Kosovës pritet që ditëve në vijim të mbajë mbledhjen e parë për konstituimin e Këshillit Antikorrupsion.
Zyrtarët e Presidencës njoftojnë se ende nuk ka ndonjë vendim për themelimin e këtij këshilli, me të cilin shefja e shtetit pretendon ta luftojë korrupsionin në vend.
Këshilltarja për Çështje Ligjore në Presidencë, Ariana Qosaj- Mustafa, ka bërë të ditur për Express se Zyra e Presidentes është duke bërë përgatitjet për këtë çështje.
“Zyra është në përgatitje të aktit të themelimit dhe rregullave të procedurës lidhur me funksionimin, përbërjen dhe punën e Këshillit Kundër-Korrupsion”, ka thënë Qosaj- Mustafa.
“Pritet qw gjatw ditëve në vijim të thirret mbledhja e parë konstituive e Këshillit nën udhëheqjen e Presidentes së Kosovës”, ka shtuar ajo.
Qosaj –Mustafa ka folur edhe për përbërjen e Këshillit.
“Të gjitha institucionet kyçe në Kosovë tw mandatuara sipas ligjit tw parandalojnë dhe luftojnë korrupsionin”, ka thënë Qosaj- Mustafa pa i konkretizuar ato.
Burime të Express në Presidencë edhe më herët patën bërë të ditur se tashmë janë përzgjedhur institucionet, të cilat do të marrin pjesë në Këshill.
“Kryesisht do të marrin pjesë institucionet e pavarura të drejtësisë si: Këshilli Gjyqësor, ai Prokurorial, Agjensioni Kundër Korrupsionit dhe organizata të ndryshme joqeveritare”, ka thënë një zyrtar i lartë i Presidencës në kushte anonimiteti.
I njëjti pati shpjeguar se në këtë Këshill do të ftohen edhe përfaqësues të Qeverisë si nga Ministria e Drejtësisë dhe jo e Punëve të Brendshme.
E të përzgjedhurit e Jahjagas, ndonëse nuk e mohojnë se kanë pasur diskutime në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në këtë Këshill, thonë se nuk kanë marrë ende ftesë zyrtare nga Presidenca.
“Jo, ne ende nuk kemi marrë asgjë zyrtarisht prej Presidence, por na kanë njoftuar se këto ditë do të mbahet mbledhja e parë, ku do të marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit, me ç’rast pritet të bëhet konstituimi i Këshillit”, ka thënë kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci.
E diskutueshme ndërkaq mbetet çështja e kushtetutshmërisë së themelimit të këtij këshilli, edhe pse Jaghjaga që nga paralajmërimi i saj për themelimin e tij është thirrur në kompetencat e saj kushtetuese.
Në nenin 84 në kuadër të aktit më të lartë juridik e politik, që përcakton kompetencat e Presidentit të shtetit, nuk precizohet askund e drejta për themelimin e një këshilli të tillë.
Kryesuesi Peci, ndonëse parimisht është shprehur pro pjesëmarrjes në nismën e Jahjagas, nuk e ka mohuar se çështja e kushtetutshmërisë së krijimit të këtij ka qenë e diskutueshme edhe në rrethin e organeve të drejtësisë.
“E kam thanë edhe më herët që KGJK do të mbledhë Këshillin për të vendosur nëse marrim pjesë apo jo, por parimisht jemi pro kësaj nisme. Ideja është që Kosova ka pas nevojë për një nismë të tillë nga një organ më i lartë shtetëror siç është Presidenca, por nuk e mohoj se ka qenë e diskutueshme çështja e kushtetutshmërisë së tij”, ka thënë Peci.
Sidoqoftë, përgatitje për themelimin e të shumëpërfolurit Këshill Kundër Korrupsionit tashmë janë në përfundim e sipër.
E për këtë iniciativë, Jahjaga e ka mbështetjen edhe të Kryeministrit Thaçi, edhe pse ky i fundit ia ka bërë me dije se në ballë të luftës, të cilën po e nis Jahjaga, ka qenë dhe do të jetë Qeveria.
“…Qeveria do të vazhdojë të mbetet në ballë të luftës kundër korrupsionit dhe vetëm me një gjithpërfshirje do të kemi sukses për betejën për rend dhe ligj…”, ka thënë Kryeministri Thaçi në mbledhjen e parë të Ekzekutivit për këtë vit.
Zëvendëskryeministri dhe njëherë ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kishte thënë për Express se si udhëheqës i MD’së në Kosovë do të marrë pjesë në Këshill vetëm nëse ai është konsultativ siç ka thënë Presidentja.
“Ende nuk e kemi marrë një ftesë të tillë, natyrisht nëse është një Këshill konsultativ, normalisht se do t`i përgjigjemi”, ka thënë Kuçi. Për më tepër, Kuçi është thirrur në ligjet dhe Kushtetutën, duke i thënë Presidentes së këto të fundit përcaktojnë kompetencat e secilit organ shtetëror. “Kushtetuta dhe ligjet i përcaktojnë kompetencat për secilin prej nesh”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.
Ndryshe, tashmë dihet se iniciativa e Presidentes nuk është e para në luftimin e korrupsionit si dukuri negative në vend. Kryeministri Thaçi para dy vitesh pati krijuar Task Forcën kundër korrupsionit, por e cila nuk rezultoi edhe aq efektive.
Shpërndaje: