Posts Tagged ‘Bashkimi Evropian’

BE, Zhbogar: Zgjedhjet serbe të papranueshme

Written by admin on . Posted in Lajme

BE, Zhbogar: Zgjedhjet serbe t papranueshmePRISHTINË- Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian në Kosovë Samuel Zhbogar e cilëson vendimin e Serbisë për të mbajtur zgjedhjet në Kosovë totalisht to papranueshëm.

Në takimin që pati sot me kryetarin e  Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, Zhbogar theksoi se Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë faktin se zgjedhjet lokale të Serbisë nuk mund të mbahen në Kosovë. Ndërkaq, ai theksoi se zgjedhjet parlamentare të Serbisë, mund të mbahen të organizuara nga OSBE-ja, duke ditur faktin se në Kosovë ka qytetarë me shtetësi të dyfishtë.

Diplomati europian vlerësoi se Kosova po ecën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ndërkohë që bëri thirrje të punohet më shumë në procesin e liberalizimit të vizave.

“Studimi i fizibilitetit, duhet të përgatitet njëherësh me Raportin e Progresit. Udhërrëfyesi i liberalizimit, është në fazën finale dhe besohet se do të kryhet në fillim të verës së këtij viti”,- deklaroi Zhbogar.

Kryetari Krasniqi nga ana e tij, përshëndeti qëndrimin e Bashkimit Europian lidhur me zgjedhjet lokale serbe në Kosovë.
(el.me/BalkanWeb)

Tahiri: BE’ja të ndalë zgjedhjet serbe

Written by admin on . Posted in Lajme

Bashkimi Evropian është garant i marrëveshjeve të arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë, prandaj po BE-ja duhet të ndikojë te Beogradi zyrtar që të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për Kosovapress, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kryengeociatore e ekipit të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës dhe udhëheqësja e delegacionit të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri ka deklaruar se ekipet e dialogut janë emëruar nga ministritë në bazë të fushave për të cilat është biseduar. Ajo ka shpalosur të arriturat e këtyre ekipeve, gjë që kanë rezultuar me marrëveshjet e arritura ku, sipas saj, Serbia “de fakto” e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Udhëheqësja e delegacionit të Kosovës në këtë dialog teknik, Edita Tahiri, në intervistën për KosovaPress, ka sqaruar se ekipi i dialogut teknik ka qenë i emëruar sipas fushave nga ministritë përkatëse, ndërsa ajo si kryenegociatore ka pasur parasysh vizionin e këtij procesi, i cili ka qenë që dialogu teknik të sigurojë avancimin e interesit nacional të Republikës së Kosovës, gjë që sipas saj edhe ka ndodhur.

“Kemi arrit suksesin që Serbia de fakto e ka njohur pavarësinë e Kosovës, sepse, për shembull, marrëveshja për bashkëpunimin rajonal, për të cilin kompetent ka qenë Ministria e Jashtme, që të japë platformën, ekipin, kemi arritur që Kosova sot jo vetëm të plotësojë standardin e bashkëpunimit, rajonal por të përfaqësohet si shtet i pavarur dhe sovran në të gjitha takimet rajonale dhe më gjerë, të flas për veten, të nënshkruajë vetë marrëveshjet për dallim nga e kaluara, që siç e dimë, Kosova është përfaqësuar nga UNMIK-u dhe kjo marrëveshje i jep fund përfaqësimit të UNMIK-ut në emër të Kosovës. Po ashtu, është më rëndësi të thuhet që vendimet që i kemi marrë dhe marrëveshjet e arritura kanë një rezultat kapital, ai është që Bashkimi Evropian i ka hapur dyert zyrtare për anëtarësimin e Kosovës në BE”, ka thënë Tahiri.

Ajo shtoi se të gjithë ata që duan ta analizojnë dialogun teknik dhe rezultatet e Republikës së Kosovës në këtë dialog, duhet ta bëjnë këtë me një qasje vizionare, duke e parë se si kanë arritur të forcojnë sovranitetin ndërkombëtar të Kosovës, sepse tash flet vetë për vetveten, nënshkruan për vetveten, përfaqësohesh si shtet i pavarur dhe sovran.

Ndërkaq, duke folur për lëshimin e takimit të palës kosovare në Beograd për shkak të fusnotës dhe po ashtu edhe të Serbisë në Slloveni për shkak të fusnotës, Tahiri ka deklaruar se për zbatimin e marrëveshjeve përgjegjës është Bashkimi Evropian , i cili është edhe garantues i këtyre marrëveshjeve dhe i mbetet BE-së të përdorë të gjitha mekanizmat për zbatimin e marrëveshjeve .

“Të dy palët duhet ta interpretojnë marrëveshjen në mënyrë të saktë dhe në rastet kur ndonjë palë nuk e kupton mirë, në këtë rast, Serbia si duket nuk e kaptuar mirë se çka thotë marrëveshja për bashkëpunime rajonale, atëherë duhet t’i drejtohet ndërmjetësuesit, Bashkimit Evropian, për të marrë interpretimin e saktë dhe zyrtar”, ka thënë Tahiri.

Udhëheqësja e delegacionit të Kosovës në këtë dialog teknik, Edita Tahiri ndalet edhe te deklarimet e fundit për bisedimet për veriun ku thotë se bisedat politike me Serbinë kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë.

“Ky është kapitull i mbyllur dhe çfarëdo tendencash që mund të ketë Serbia në këtë drejtim janë tendenca për t’i prekur kufijtë e Ballkanit dhe në qoftë se ndodhë kjo, përgjigjen veç e dha kryeministri”, ka thënë Tahiri.

Megjithatë, sipas saj, nuk pritet që së shpejti të ketë raund të ri të bisedimeve pasi që Serbia po hyn në zgjedhje, por, sipas saj, grupet teknike duhet të punojnë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, posaçërisht asaj për menaxhimin e integruar të kufirit.

“Serbia do të bëjë një gabim të madh në qoftë se vazhdon me politika iluzioniste dhe tash është radha e BE-së që të flasë me një zë dhe me një zë të prerë e të vendosur që të mos lejojë Serbinë në punët e brendshme të Kosovës, me fjalë tjera të bëjë zgjedhje në Kosovë”, ka thënë Tahiri.

Marrëveshjen për bashkëpunimet rajonale e ka shpjeguar në mënyrë të hollësishme kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, e po ashtu edhe kryenegociatorja Edita Tahiri ka dhënë konferencë për shtyp ku ka shpjeguar rezultatet e arritjes dhe menjëherë ka vazhduar punën diplomatike në Bruksel, Paris dhe Londër për të biseduar me këto qendra vendimmarrëse, meqenëse ishte java kur BE-ja merrte vendime të rëndësishme për perspektiven evropiane të Kosovës. /kosovapress/

Shpërndaje:

  • Printo
  • Email

Kush të merret me veriun?

Written by admin on . Posted in Lajme

Është e qartë se duhet të ketë një zgjidhje për veriun e Kosovës. Një numër i palëve është i përfshirë në këtë edhe kur Zyra Civile Ndërkombëtare mbyllet më vonë gjatë këtij viti, thonë në ICO.

Edhe pse Zyra Civile Ndërkombëtare e pati në agjendë të punës integrimin e veriut të Mitrovicës kur nisi misionin e saj në Kosovë, ky mision duket se është pajtuar me faktin se përmbyllja e mandatit të saj do të bëhet pa integrimin e pjesës veriore.

Zëdhënësi i ICO-së, Kristian Palme, foli megjithatë për nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje për problemin që prek zonat përtej lumit Ibër në Mitrovicë.

Eventualisht, është e qartë se duhet të ketë një zgjidhje për veriun e Kosovës.

“Eventualisht, është e qartë se duhet të ketë një zgjidhje për veriun e Kosovës. Një numër i palëve është i përfshirë në këtë dhe kur Zyra Civile Ndërkombëtare mbyllet më vonë gjatë këtij viti, organizatat e tjera ndërkombëtare do të vazhdojnë ta mbështesin dhe ta këshillojnë Qeverinë rreth çështjes së veriut të Kosovës”, u shpreh Palme.

Përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën është bërë tashmë edhe prioritet i Qeverisë së Kosovës, e cila synon të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga Pakoja e Ahtisarit deri në muajin shtator të këtij viti.

Po në shtator pritet të publikohen raportet e progresit të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit perëndimor, të cilat në vitin e kaluar kishin vënë në pah domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Një “sukses” në këtë drejtim thuhet se është arritur tashmë në kuadër të dialogut teknik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Vetë ndërmjetësuesi i këtij procesi, diplomati Robert Kuper, theksoi ditë më parë rëndësinë që Prishtina e Beogradi ta trajtojnë enkas problemin e veriut.Por, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kundërshtoi së fundi sërish çdo opsion që flet për ndonjë status special-si zgjidhje eventuale për veriun e Mitrovicës.

“Pretendimet që paraqiten aty-këtu për ndonjë autonomi apo status special, nuk janë të vërteta, janë të paqëndrueshme dhe nuk do të ndodhin. Edhe sa i përket pretendimit për ndryshimin e kufijve, unë ua kam bërë të qartë, në emër të Qeverisë, të gjithë miqve ndërkombëtarë mesazhin e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës se me pretendime të tilla për ndryshimin e kufijve, shqiptarët më së miri dhe më së lehti mund të jetojnë në një shtet të vetëm”, pati deklaruar Thaçi në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës.

Njohësit e rrethanave politike, ndërkaq, thonë se Prishtina zyrtare nuk duhet të frikësohet nga çfarëdo lloj procesi që ka për qëllim zgjidhjen e ngërçit disa-vjeçar në veri.

Frika nga një status i mundshëm nuk e bën më lehtë të integrueshëm veriun.

Analisti, Leon Malazogu, shpjegon:

“Frika nga një status i mundshëm nuk e bën më lehtë të integrueshëm veriun. Në qoftë se, duke u nisur nga frika, Prishtina nuk i hyn asnjë procesi për veriun, atëherë do të perceptohet si një palë joserioze dhe do ta bëjë edhe më të vështirë integrimin e veriut më vonë”.

Sfidë e radhës – sidomos për pjesën veriore të Kosovës, paraqesin zgjedhjet lokale që Serbia ka paralajmëruar se do t’i mbajë edhe në territorin e vendit.

Banorët lokalë të veriut të Mitrovicës kanë refuzuar, deri më tani, pjesëmarrjen në çfarëdo procesi që iniciohet nga institucionet shtetërore të vendit duke u thirrur në Kushtetutën e Serbisë që e cilëson Kosovën pjesë të saj. (rel)

Shpërndaje:

  • Printo
  • Email

Zgjedhjet serbe rrezikojnë dialogun

Written by admin on . Posted in Lajme

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dërguar një letër presidentit të Këshillit Evropian, Herman von Rompuy, shefes së politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton dhe shteteve të Quint-it, të cilëve u ka kërkuar që të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovë, pasi ato shkelin sovranitetin e shtetit të Kosovës. Ajo ka shkruar në letër se Republika e Kosovës nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj, ose përfaqësuesit e tij që drejtojnë strukturat paralele brenda territorit tonë, që të organizojnë çfarëdo zgjedhjesh kudo qoftë në Republikën e Kosovës.

Jahjaga ka thënë se tolerimi i këtij akti, të ndërmarrë nga Republika e Serbisë, pas tjerash, rrezikon dialogun e ndihmuar nga BE-ja dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

“Ju bëj thirrje Bashkimit Evropian dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të tregojnë vendosmëri në mos lejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës. Republikës së Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se një nga kërkesat kyçe për rrugën e saj drejt integrimit në BE është parimi i respektimit të fqinjësisë së mirë”, ka shkruar Jahjaga duke shtuar se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, sfidon fuqishëm integritetin territorial dhe provokon destabilizimin e Kosovës.

Ajo ka pohuar në letër se Republika e Kosovës nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj, ose përfaqësuesit e tij që drejtojnë strukturat paralele brenda territorit tonë, që të organizojnë çfarëdo zgjedhjesh kudo qoftë në Republikën e Kosovës.

“Që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008, Republika e Kosovës është ndërtuar mbi parimet e demokracisë me synime të qarta për anëtarësim në organizatat euroatlantike. Bashkimi Evropian, për shumë vjet ka luajtur një rol të rëndësishëm në Kosovë në ndërtimin e një shoqërie demokratike, gjithëpërfshirëse dhe një shoqërie që respekton ligjin. Rruga jonë evropiane është një përpjekje e përbashkët me BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare për të ndërtuar një shtet stabil, faktor paqeje dhe stabiliteti dhe një shembull të respektimit të të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e vendit”, është shprehur presidentja.

Ajo ka vlerësuar se çfarëdo përpjekje e Republikës së Serbisë për të organizuar zgjedhje në territorin e Republikës së Kosovës shkel normat dhe ligjet ndërkombëtare si dhe parimet themelore Evropiane dhe si të tilla këto përpjekje janë të papranueshme dhe ilegale.

“Mbajtja e zgjedhjeve të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës shënon një kthim prapa të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarëve të Kosovës, që kanë punuar shumë në dy dekadat e fundit për të rikthyer normalitetin në rajon. Është kthim prapa i progresit të përbashkët të arritur me aq shumë mund në tejkalimin e dallimeve të së kaluarës, progres i cili ka hapur rrugën drejt integrimeve në BE për vendet tona respektive dhe qytetarët e rajonit. Është kthim në retorikën dhe veprimet e së kaluarës që nuk i përkasin një vendi i cili kërkon anëtarësim në BE”, thuhet, ndër të tjera, në letrën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Herman von Rompuy, shefes së politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton dhe shteteve të Quint-it.

Shpërndaje:

  • Printo
  • Email

Isa Mustafa takon ambasadorin austriak

Written by admin on . Posted in Lajme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Johann Brieger. Kryetari Mustafa dhe ambasadori Brieger kanë biseduar për zhvillimet e përgjithshme në vend.

Kryetari Mustafa ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë është e papranueshme për LDK-në. Ai kërkoi nga Qeveria, Bashkimi Evropian dhe gjithë mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë që t’i koordinojnë veprimet, në mënyrë që të pamundësohet mbajtja e zgjedhje serbe në Kosovë.

Kryetari Mustafa tha se LDK e ka përkrahur Kuvendin e Republikës së Kosovës në miratimin e rezulotës me anë të së cilës kundërshton dhe kërkon moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Sa u përket procedurave të vendosura rreth mënyrës së përfaqësimit rajonal të Kosovës me fusnotë, kryetari Mustafa theksoi se ato nuk kanë qenë demokratike.

“Ne jemi deklaruar kundër mënyrës së përfaqësimit të Kosovës, dhe kjo nuk do të thotë se ne jemi kundër bashkëpunimit evropian dhe ndërkombëtar”, ka thënë kryetari Mustafa.

Ndërkaq, ambasadori Brieger theksoi se Austria më me dëshirë do ta shihte Kosovën vetëm me emrin e saj.

“Për ne e rëndësishmë ka qenë që Kosova të gjejë një formë që të prezantohet, të jetë në gjendje vetë të nënshkruajë dhe vetë të negociojë”, ka thënë ambasadori Brieger.

Ambasadori Brieger pohoi se shteti i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në prezantimet e saj, si dhe në zhvillimin e vendit drejt integrimeve evropiane. /Kosovapress/

Shpërndaje:

  • Printo
  • Email

Serbia s’po respekton marrëveshjet për bashkëpunim rajonal

Written by admin on . Posted in Lajme

Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar sot, siç thuhet, me zhgënjimin e saj të thellë për moszbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal nga ana e Serbisë të arritur në Bruksel më 24 shkurt 2012.

“Kjo shkelje e marrëveshjes nga ana e Serbisë ka ndodhur sot në kuadër të konferencës regjionale ‘Partneriteti për ndryshim: shoqëria civile dhe qeveritë në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi’, e cila po mbahet në Beograd.

Serbia si organizatore e kësaj konference ka dështuar të zbatoj pikën 2 dhe pikën 4 të marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

Për rrjedhojë, përfaqësimi i Republikës së Kosovës në këtë konferencë është pamundësuar dhe përfaqësuesi i qeverisë së Republikës së Kosovës ka braktisur konferencën në fjalë”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës, e cila ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që në përputhje me rolin e tij si ndërmjetës dhe garantues i zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme për të garantuar zbatimin në praktikë të marrëveshjeve të arritura.

Shpërndaje:

  • Printo
  • Email

BE ta sanksionojë Serbinë

Written by admin on . Posted in Lajme

Derisa po vazhdojnë diskutimet rreth mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 6 majit edhe në territorin e Kosovës, politikanët evropianë dhe njohësit e zhvillimeve në rajon i bënë thirrje Qeverisë serbe që të mos zbatojë vendimin që mori ditë më parë për këtë çështje.

Pas paralajmërimit të shtetit serb se zgjedhjet do të mbaheshin në Kosovë “në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit dhe në bashkëpunim me administratën e OKB-së në vend”, deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, tha se i takon UNMIK-ut t’u bëjë të qartë serbëve se nuk mund të mbahen zgjedhjet lokale.

“Është e qartë që zgjedhjet lokale nuk bën të mbahen atje dhe jam e sigurt që UNMIK-u do t’ua bëjë këtë të qartë serbëve, ndërsa shpresoj që serbët ta kuptojnë këtë”, tha ajo në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë.

Por, njohësit e çështjeve në Ballkan vlerësuan se, karshi koordinimit me UNMIK-un, është i domosdoshëm edhe koordinimi me autoritetet kosovare.

Sabine Freizer nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave tha se çdo veprim i njëanshëm i Serbisë në planet për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë do të ishte destabilizues dhe se mund ta tensiononte sërish situatën, sidomos në pjesën veriore të vendit.

Ajo shfaqi shpresën që ekzekutivi serb të heqë dorë nga zhvillimi i procesit zgjedhor për kuvendet komunale në Kosovë, ndërsa theksoi rëndësinë për një qëndrim më të ashpër të Brukselit.

“Pres që Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të BE-së do të jenë shumë të qartë me Serbinë duke i thënë se mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë është shumë e rrezikshme. Shpresoj që ata të shkojnë përtej kësaj duke paralajmëruar sanksione nëse Serbia mban zgjedhje lokale në Kosovë”, u shpreh Freizer duke thënë se mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në komunat kosovare do të ishte në kundërshtim me “vullnetin” që Beogradit zyrtar ka treguar, deri më tani, në kuadër të dialogut me Prishtinën.

Ndërmjetësuesi i këtij dialogu, Bashkimi Evropian – veçanërisht Berlini zyrtar, ka qenë deri më tani mjaft i zëshëm në kërkesën drejtuar Serbisë për zhbërjen e strukturave të saja paralele në Kosovë dhe mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Rëndësia për realizimin e kësaj kërkese dhe për përmirësimin e raporteve me Kosovën u theksua edhe pasi Serbia fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Eurodeputetja Lunaçek tërhoqi vërejtjen se shteti serb do të rrezikonte marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, po që se zbaton vendimin e së martës.

“Nëse e bëjnë këtë (nëse i mbajnë zgjedhjet lokale në veri të Kosovës), atëherë mendoj se do të kenë probleme në marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim dhe vendimi për këtë çështje do të shtyhej më tej”, theksoi eurodeputetja Lunaçek.

Serbia vendosi, ditë më parë, që bazuar në Kushtetutën e vendit, ku Kosova cilësohet të jetë ende pjesë përbërëse e Serbisë, zgjedhjet lokale të mbahen në Kosovë.

Nga procesi zgjedhor thuhet se do të përjashtoheshin Prishtina, Peja, Leposaviqi, Mitrovica dhe Novobërda, ngase në këto komuna, siç thuhet, pushtetet lokale kanë ende mandat. /rel/

Shpërndaje:

  • Printo
  • Email

BE-ja kundër zgjedhjeve serbe në Kosovë

Written by admin on . Posted in Lajme

Zëdhënësja e nënkryetares së Komisionit Europian, Catherine Ashton, Maja Kocijançiq, ka deklaruar se shpallja e zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk është në pajtim me detyrimet ndërkombëtare të Serbisë dhe me Rezolutën 1244 të KS të OKB.

Në një deklaratë për shtyp ajo shprehet se zgjedhjet janë një rast që qytetarët e Serbisë të realizojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të vendosin për fatin e vendit të vet, ndërsa ka potencuar se zgjedhjet serbe në Kosovë “nuk janë në pajtim me obligimet ndërkombëtare të Serbisë, e sidomos me Rezolutën 1244”.

Mesditën e sotme Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç dhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Sllavica Gjukiç Dejanoviç, kanë shpallur 6 majin si datën kur do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare si dhe ato lokale, raporton Ora News.

Mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë shihet si përpjekje për sforcimin e strukturave paralele serbe, për zhbërjen e të cilave autoritetet në Prishtinë kanë kërkuar ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Shpërndaje:

  • Printo
  • Email

Zgjedhjet serbe, Qeveria e Kosovës i  kërkon BE-së të reagojë

Written by admin on . Posted in Lajme

Zgjedhjet serbe, Qeveria e Kosovs i krkon BE-s t reagojPRISHTINË- Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon ndërhyrjen e Bashkimit Europian për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

“Bashkimi Evropian duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë që mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me vlerat dhe parimet evropiane”,- thuhet në deklaratën e qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës i cilëson zgjedhjet serbe në Kosovë nja akt të papranueshëm, ndërkohë vlerëson se mbajtja e tyre nuk do ketë ndonjë efekt legal juridik apo politik ndaj si të tilla do të trajtohen.

“Vendimi i sotëm e demaskon qasjen anti-evropiane të Serbisë ndaj Kosovës si dhe demonstron që Serbia vazhdon të ushqej politikat e shekullit të kaluar”, thuhet në deklaratë.
(el.me/BalkanWeb)


Serbia zgjedhje lokale edhe në Kosovë më 6 maj Franca: Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, nuk ndihmojnë dialogun

Qeveria: Zgjedhjet serbe në Kosovë, të papranueshme

Written by admin on . Posted in Lajme

(E plotësuar) Qeveria e Kosovës konsideron se qëndrimi i Beogradit zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë është i pa pranueshëm.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me këtë rast i përkujton edhe njëherë Beogradit zyrtar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe Serbia nuk ka asnjë lloj juridiksioni apo të drejte mbi Republikën e Kosovës. Vendimi i sotëm e demaskon qasjen anti-evropiane të Serbisë ndaj Kosovës si dhe demonstron që Serbia vazhdon të ushqej politikat e shekullit të kaluar”, thuhet ne deklaratën e Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka kontaktuar me faktorët relevant ndërkombëtar, duke ua bërë me dije që sjelljet e tilla janë të papranueshme. Bashkimi Evropian duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë që mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me vlerat dhe parimet evropiane.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron që tentimin i mbajtjes së zgjedhjeve të tilla do të jetë pa efekt legal juridik apo politik, dhe si të tilla do të trajtohen, pra si zgjedhje ilegale dhe pa legjitimitet demokratik. Qeveria e Kosovës i fton gjithë qytetarët serbë të Kosovës që të jenë pjesë e institucioneve demokratike kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në deklaratë.

Franca i thotë Serbisë: Mos mbajë zgjedhje në Kosovë

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Europiane të Francës rreth vendimit të Serbisë për t’i mbajtur zgjedhjet lokale në shumicën e komunave të Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj Ministrie, Bernard Valero, shprehu qëndrimi kundërshtues të Parisit rreth këtij vendit të shtetit serb.

“Franca kërkon nga Serbia që të përmbahet për thirrjen e organizimit të zgjedhjeve komunale në Kosovë. Një vendim i tillë do të binte në kundërshtim me Rezolutën 1244/99 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe me realitetin e Kosovës së pavarur nga viti 2008, konform me të drejtën ndërkombëtare (mendimi i GJND’së, më datë 22 korrik 2010)”, thuhet në deklaratën e Zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Francës.

“Po ashtu, nuk do të ishte konform frymës së procesit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe nismës serbe për afrim me Unionin Europian, të cilën e mbështesim”, vazhdon deklarata e Zëdhënësit Bernard Valero.

Franca, sërish, ripërsërit mbështetjen e saj për sovranitetin e Kosovës.

“Franca rikujton mbështetjen e saj për sovranitetin e Kosovës në tërë territorin e saj”, thuhet në deklaratë.

Serbia shpall mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në Kosovë

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Slavica Djukic – Dejanovic, ka shpallur 6 majin datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat dhe qytetet e Serbisë, përfshirë këtu edhe komunat në Kosovë, në të cilat qeverive lokale u ka skaduar mandati.

Dejanovic tha se zgjedhjet nuk do të mbahen në 17 komuna në Serbi (përfshirë 5 komuna të Kosovës), për shkak se, siç tha ajo, atje ende nuk u ka skaduar mandati qeverive lokale, raporton Tanjug.

Sipas saj nuk do të mbahen zgjedhjet në Prishtinë, Pejë, Leposavic, Mitrovicë dhe Novo Bërd, ku qeveritë aktuale kanë ende mandat.

Kryetarja e Kuvendit deklaroi se qeveria serbe, në bashkëpunim me UNMIK-un, do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.

Edhe presidenti serb Boris Tadic sot ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Serbi më 6 maj.

Vendimi i Serbisë për mbajtjen zgjedhjet lokale në Kosovëpritet të kundërshtohet nga autoritetet ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë.

Mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë shihet si përpjekje për sforcimin e strukturave paralele serbe, për zhbërjen e të cilave autoritetet në Prishtinë kanë kërkuar ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Shpërndaje:

  • Printo
  • Email

Air Kosova
Kosmobile - Kosova Mobile
Shpallje