Josipoviq rikonfirmoi mbështetjen e kroate për pavarësinë e Kosovës
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, e cila sipas komunikatës së Qeverisë, është zëvendëskryeministre për politikë të jashtme dhe siguri nacionale, gjatë vizitës që po zhvillon në Kroaci në një vizitë zyrtare, të martën u prit nga presidenti kroat, Ivo Josipoviq.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri njohu presidentin Josipoviq me progresin e përgjithshëm të shtetit të Kosovës si dhe përparimet substanciale në integrimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës. Ajo tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për jetësimin e vizionit euroatlantik të Kosovës dhe po punojmë për ndërtimin e një shteti modern në interes të të gjithë qytetarëve duke siguruar se Kosova është një partner serioz në planin ndërkombëtar dhe rajonal.
Presidenti Josipoviq rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të shtetit kroat për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës si dhe premtoi mbështetje dhe këmbim përvojash në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Në këtë takim u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Kroacisë si dhe u shpreh gatishmëria e përbashkët për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit të ndërsjellë, me theks në fushën e diplomacisë, ekonomisë, energjetikës e bujqësisë.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se është interes strategjik i rajonit që sa më parë të ndodhë integrimi në strukturat euroatlantike i të gjitha shteteve të Evropës Juglindore. Po ashtu u vlerësua rëndësia e kultivimit të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal.
Në këtë takim, Presidenti kroat Josipoviq shprehu mirënjohje për kontributin e shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kroacisë, ndërkaq zëvendëskryeministrja Tahiri vlerësoi se pakicat kroate dhe shqiptare kanë vlerë të veçantë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kryeministria e Kosovës.
Shpërndaje:













































