(E plotësuar) Kryeministri Hashim Thaçi e cilësoi si mungesë të ballafaqimit të argumenteve nga ana e opozitës, bojkotimin e fjalimit të tij, ndërsa nuk kurseu edhe akuza për Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se zëvendëskryetari i kësaj partie ka zhvilluar takime me ministrat e kabinetit të presidentit serb, Boris Tadiq.
Kryeministri Thaçi ka thënë se ka pasur disa pyetje për dy partitë opozitare, por pasi që nuk janë prezent në sallë, do tiu adresohet ndonjëherë tjetër.
Ai mungesën e opozitës e ka cilësuar si thikë pas shpine, pas gjithë asaj zhurme.
“Se sa kanë qenë të interesuar për debat shihet tash. Bojkoti ndaj këtij debati është thjesht një thikë pas shpine pas gjithë asaj zhurme politike që kanë bërë duke pretenduar për të terrorizuar qytetarët një terrorizim politik elektoral”, ka thënë Thaçi, siç transmeton Kosovapress.
Ai ka thënë se integriteti territorial është i pacenueshëm, duke shtuar se Kosova është një dhe e pandarë.
Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të përhershëm, ka thënë Thaçi, duke shtuar se nuk e ka ndërmend të përdorë politikën e njëjtë të papërgjegjshme që përdor Serbia ndaj Kosovës.
Me gjithë mungesën e opozitës, kryeministri ka vazhduar fjalën e tij, duke thënë se opozita e ka lëshuar seancën pasi që nuk ka pasur argumente të ballafaqohet.
“Do të dëshiroja se ata që flasin për përdorimin e forcës nga opozita të jenë brenda, por pasi janë përcaktuar të qëndrojnë në korridore është çështje e tyre. Gjithashtu edhe për zhurmën dhe terrorin psikologjik që kanë bërë të ishin brenda të ballafaqohen me argumentet”, ka thënë Thaçi.
Shefi i qeverisë ka thënë se kidnapimi i dy policëve ka qenë veprim i dënueshëm nga të gjithë, ndërsa ka sqaruar se ky veprim cenues i Serbisë në raport me Kosovën është vazhdimësi e një politike të mentalitetit të Millosheviqit.
Thaçi ka thënë se ai që cenon territorin do të marrin përgjigjen e merituar.
Ai, duke folur për dokumentin e presidentit Ahtisari, ka thënë se edhe LDK-ja edhe AAK-ja e kanë pranuar këtë dokument. Ndërsa, për Lëvizjen Vetëvendosje ka adresuar një akuzë, që sipas tij, zëvendëskryetari i kësaj partie është takuar me ministrat e kabinetit të Boris Tadiqit.
“Le të tregon Vetëvendosja që zëvendëskryetari i Vetëvendosjes është takuar me ministrat e presidentit serb, Boris Tadiq. Takime gjysmë të fshehura dhe gjysmë të hapura”, ka theksuar ai.
Pas fjalimit të Thaçit, prezent në sallë kanë qenë vetëm 42 deputetë, gjë që është kërkuar nga kryetari i Kuvendit të mbyllet debati, edhe pse ishin në listë edhe 7 deputetë për të mbajtur fjalën.
Por, pas kësaj, ka marrë fjalën shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ademi Grabovci i cili e akuzoi opozitën për këtë bojkot të seancës dhe në fund kërkoi që të mbyllet debati.
Edhe pse ishte e planifikuar që në fund të seancës të nxirren disa rekomandime, një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi që nuk pati kuorum.
Opozita e braktis seancën, injoron fjalimin e Thaçit
Deputetët e opozitës e kanë braktisur seancën e Kuvendit të Kosovës, menjëherë pas nisjes së fjalimit të kryeministrit Hashim Thaçi. Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi kur ka dashur tiu drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, asnjë nga deputetët e partive opozitare nuk ka dashur të qëndrojë në sallë dhe të dëgjojë fjalimin e tij.
Kryeministri Thaçi ka thënë se ka pasur disa pyetjet për dy partitë opozitare, por pasi që nuk janë prezent në sallë do të ju adresoj ndonjëherë tjetër.
“Integriteti territorial është i pandashëm. Ne do të ndërtojmë Kosovën tonë demokratike, ndërsa veriun do ta zgjidhim vetë. Natyrisht se kisha disa pyetje të grupeve parlamentare të opozitës por ato pyetje do ti ruaj. Dhuna është e papranueshme dhe e dënueshme për të gjithë”, ka thënë Thaçi.
Ai ka siguruar deputetët dhe gjithë qytetarët se pavarësia dhe integriteti i Kosovës është i përjetshëm.
Ai ka thënë se disa nuk mund të flasin për vizitën në SHBA, pasi që nuk mund të hyjnë fare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Debat i ashpër për Veriun
Ligjvënësit nuk kanë kursyer kritikat për Qeverinë e Republikës së Kosovës që nuk po bënë asgjë për integrimin e veriut të vendit. Gjithashtu kanë thënë se nga ardhja e kësaj qeverie, nga viti 2008, gjendja për shqiptarët në atë pjesë vetëm, vetëm se pakësuar. Gjatë këtij debati nuk kanë munguar as akuzat ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar.
Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme e thirrur nga Grupi Parlamentar i PDK-së, me mbledhjen e 46 nënshkrimeve të deputetëve, ku po diskutohet për gjendjen e veriut.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se situata në veri të vendit tani e 13 vite ka qenë e rënduar. Sipas tij sulmi kriminal mbi familjen Haradinaj është një goditje ndaj shtetit të Kosovës.
Ai ka kërkuar që sot të debatohet për hapat e mëtutjeshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe mekanizmave të sigurisë që gjendja në veri të futet nën kontroll për të siguruar qytetarët tanë pa dallim.
Grabovci ka thënë se pas debatit në bashkëpunim me shefat e grupeve, do të harmonizohet teksti me rekomandime që do të adresohen me votim.
Më pas ka folur për situatën ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se situata e përgjithshme e sigurisë vlerësohet e qetë, me përjashtim të veriut, ku situata mbetet e tensionuar nga aspekti politik dhe i sigurisë.
Ai ka thënë se tensionimi i situatës si rezultat i veprimit të grupeve kriminale serbe, gjendja po mbahet nën kontroll të institucioneve përgjegjësive të sigurisë, Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.
Ministri Rexhepi ka shtuar se padyshim se përgjegjës i drejtpërdrejt për tensionimin e fundit janë institucionet e Serbisë, të cilat janë kapluar nga ethet zgjedhore, po dëshmon orientimin dhe agresivitetin përmes veprimeve joligjore dhe politike si kidnapimi i dy zyrtarëve policorë, arrestimi i 4 qytetarëve, të nxitura nga ministri i Brendshëm i Serbisë, i cili me fanatizëm po tregohet trashëgimtar i Millosheviqit.
Ai ka njoftuar se me datën 8 prill 2012, në ora 1 e 21 minuta, në Qendrën Policore komunikuese rajonale është pranuar informata se në lagjen Tre Rrokaqiejt është dëgjuar një shpërthim dhe kanë arritur informata edhe nga burime tjera që kanë raportuar për të njëjtin shpërthim.
Në atë lokacion ka arritur shumë shpejt një njësi policore, të cilët kanë raportuar se ka ndodhur një shpërthim. Ndërsa më vonë si pasojë e këtij shpërthimi, në vend të ngjarjes ka mbetur i vdekur kryefamiljari Selver Haradinaj.
Gjithashtu ai ka thënë se pas këtij rasti, është vendosur kabina për nevoja të zyrtarëve policor, e cila ishte statike në atë lokacion. Por më vonë është marr informacioni se në pjesën veriore është lëshuar sirena që shfrytëzohet për të mbledhur grupet kriminale, e të cilët kanë shkuar në lagjen Tre Rrokaqiejt dhe kanë filluar demolimin e atij kontenjeri.
Rexhepi ka thënë se rasti i vrasjes së Haradinaj është kualifikuar si akt terrorist dhe është duke u hetuar nga njësiti antiterrorist.
Ministri ka thënë se në rast të cenimit të sigurisë së qytetarëve, mungon intervenimi i KFOR-it dhe EULEX-it, atëherë Policia e Kosovës do të veprojë.
“Policia e Kosovës ka kapacitete operative dhe autorizime policore për të mbrojtur me të gjitha mjetet qytetarët që jetojnë në pjesën veriore. Në rast se cenohet siguria e qytetarëve tanë dhe nuk ka reagim të duhur nga KFOR-i dhe EULEX-i ne nuk hezitojmë të veprojmë”, ka thënë Rexhepi.
Nga ana tjetër shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri fillimisht ka ngushëlluar familjen e Selver Haradinajt.
Ai ka thënë se gjendja në veri vazhdon të jetë e rëndë dhe përkeqësohet edhe më tej dhe Qeveria e Kosovës nuk po e kryen punën ashtu siç e obligon Kushtetuta e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës obligimet kushtetuese i ka të përcaktuara qartë, por rezultatet mungojnë. Nuk janë qytetarët ata që duhet ta mbrojnë veten dhe familjet e tyre. Ky është obligim i institucioneve tona të sigurisë. Kjo nuk bëhet me 2 policë dhe një kontenjer. Në raste të tilla vetëm mund ti viktimizojmë edhe policët tanë. Thirrje edhe faktorit ndërkombëtar që të jetë më veprues”, ka thënë Beqiri.
Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se në një situatë të jashtëzakonshme veprimi bëhet urgjent. Sipas tij paraqitësit e kësaj kërkesë, nuk e paskan gjendjen në urgjencë, që i bie që ajo është e zakonshme.
“Qe vrasjet dhe dëbimet janë të zakonshme, kështu është sjellur edhe ekzekutivi. Në kohën kur strukturat dëbonin shqiptarët, kryeministri mbante ligjërata në SHBA. Asnjëherë nuk u mendua që të kthehet në vendin që e ka uzurpuar dhe të mbajë përgjegjësinë. Edhe ky e sheh vrasjen dhe dëbimin si diçka të zakonshme. A e ka ditur kryeministri se një gjë e tillë duhet të ndodhte”, ka deklaruar Hoxhaj.
Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka kritikuar fillimisht ministrin e Punëve të Brendshme që po e lexon raportin e policisë.
Sipas tij ministri nuk e ka një ide se nuk ia kërkon as shefi i vet, duke shtuar se kultura e punës së Qeverisë është e tillë, që krejt energjitë i shfrytëzon me e kamufluar problemin.
“Qeveria ka dështuar totalisht, jo vetëm me provuar me plan, por edhe me gjeneru ide normale me zgjidh problemin në mënyrë normale. Sot gjendja në veri është më keq se para 4 vjetëve. Asnjë element i jetës, jo vetëm për shqiptarët, por as për serbët nuk është më i mirë atje. Siguria është më e keqe, sundimi i ligjit ka degraduar, veriu është edhe më pak i integruar se që ka qenë në vitin 2008. Atje ka edhe më pak shqiptarë, në veri të Kosovës ka edhe më pak shqiptarë se që ka pas në vitin 2008″, ka thënë Gjini.
Madje ai ka dhënë edhe një ide për këtë qeveri, duke thënë se duhet me ia nis me i mbledh letrat dhe plaçkat me i lëshuar rrugë Kosovës.
Më pas ka marr fjalën zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, cili ka thënë se kupton këtë debat si pjesë e politikës së bashkuar, që duhet ta ketë në gjithë në Kosovën, duke shtuar se nuk është objektiv i garës politike.
Kuçi ka thënë se nuk është shumë për momentin të jepen vlerësim e se kush e ka fajin, para 2 viteve, apo 5 viteve, ose tani.
Zëvendëskryeministri ka thënë se nuk shmanget Qeveria e Kosovës nga përgjegjësia që e ka. Por sipas tij edhe në 2008 ka pasur enklava dhe është fituar qasja dhe tani ato enklava nuk ekzistojnë.
Ai ka shtuar se çështja që duhet të diskutohet janë KFOR-i dhe EULEX-i, në krijimin e ambientit të sigurt, pasi që ata e kanë primatin në atë pjesë. Gjithashtu ai ka shtuar se do të merren veprime në koordinim për të mos frikësuar qytetarët në atë pjesë.
Për më tepër ai ka premtuar se kriminelët do të bëhen para drejtësisë, por një ditë ata do të vihen para drejtësisë.
Më pas ka replikuar deputeti Gjini, i cili ka thënë se kjo Qeveri ka ardhur në pushtet dhe pas katër viteve i identifikon problemet.
“4 vjet pasi kanë ardhur në pushtet kanë nis me i identifikuar problemet. Në gazetë i lexojnë këto që po i folni. Po akuzohet Beogradi por Kosova duket shumë më keq sa i përket korrupsionit. Kuçi ka problem me amnezinë, të enjten thirri me i qu forcat policore në veri, e sot po thotë s’bon me u frikësuar njerëzit”, ka thënë Gjini.
Më pas ka ardhur reagimi i zëvendëskryeministri Kuçi, duke i thënë se edhe ai dinë të flet me fjalorin e rrugës. Ndërsa i ka thënë Gjini pse nuk e ka kryer këtë punë kur ka qenë ai në Qeveri.
“Nëse po flas si në Kuvend unë di të flas edhe në rrugë. Memorien e kam bukur të zhvilluar dhe mund të masim edhe testin e inteligjencës. Pse se kryjshe veriun sa ke qenë në qeveri, qysh i ke kry do punë tjera. Logjikën e dikujt me i frikësuar qytetarët nuk duhet ta përdorim”, ka thënë Kuçi.
Më pas ka vazhduar debati me diskutimet e ministrave të kabinetit qeveritar dhe të deputetëve. /Kosovapress/
Shpërndaje: