Nga televizioni dhe spektaklet, në zyrën e zëdhënëses së një klubi sportiv. Eksperienca me “Tiranën”, efekti zbutës i imazhit femëror, por edhe pozicioni komod i vajzës së bukur dhe seksi në një ambjent krejtësisht mashkullor. Dimensionet e reja të Iva Merës.

Deri në pesë ditë, më shumë nuk mundi t’a shtynte momentin e prezantimit në punë, Iva Mera. Megjithëse çelësin e zyrës ia kishin dorëzuar me kohë në dorë, në orën tetë të çdo mëngjesi ulej para kompjuterit dhe pavarësisht se lajmi se për herë të parë një klub futbolli do të kishte një zëdhënëse femër kishte dalë zyrtarisht, prezantuesja bukuroshe nuk e gjente guximin. Ajo bindja e një ambjenti të egër mashkullor, ku lojtarë, tifozë e arbitra shahen e rrihen pa sebep, ku këmba e femrave zor se shkel në stadium e jo më në fushë, e trembte. Një zot e dinte se si do të reagonin lojtarët e klubit, të cilit do t’i jepte zë, kur ta kishin përballë. Mund të qëllonte ta injoronin, t’i hidhnin ndonjë fjalë të papëlqyeshme, tek e fundit mund të ndodhte edhe të mos i pëlqente fare ajo që do të gjente aty. Pse i mendonte të gjitha këto, mëngjesin e çdo dite, Iva i lutej administratorit të klubit “Tirana” ta shtynte për të nesërmen zbritjen në fushë. I gëzohej çdo dite kur kjo ndodhte edhe pse ishte e bindur se sidoqoftë kjo nuk mund të zgjaste përgjithmonë.
Pasi numëron të gjitha këto, është lehtësisht e imagjinueshme skena e takimit të parë të Ivës me futbollistët e Klubit Tirana. Pasi i ishte dorëzuar pa kushte një tradite që duhej përmbushur, i kishte shkuar nga pas shefit të zyrës për t’u gjendur ballë për ballë me lojtarët kur ende nuk kishte filluar stërvitja, zëdhënësja, e para dhe e vetmja në llojin e saj, ishte përgatitur për të gjitha. Gjithçka përveçse asaj që gjeti realisht aty. “Rastësisht atë ditë kisha veshur një fustan të kuq. I shkova nga pas administratorit dhe rrija pak e ndrojtur përballë tyre, por në fakt nuk ishte ambjent aq i egër sa perceptohet nga jashtë. Përkundrazi. Më pritën shumë mirë, më uruan punë të mbarë dhe pati shumë batuta gazmore në atë takim të parë”, thotë Iva katër muaj pas asaj dite, kur tanimë ia ka marrë dorën punës, por edhe marrëdhënieve që ka ndërtuar me secilin prej emrave që shohim të luajnë në fushën e blertë. Akulli u shkri brenda një minute dhe ajo që u shkrua më pas në shtyp është e vërtetë: për herë të parë futbollistët kishin qenë të sjellshëm dhe të butë në një takim. Të rrjeshtuar, siç tradicionalisht ndodh me një skuadër futbolli, secili kishte dhuruar buzëqeshje, urime e përgëzime për këtë zgjedhje të dalë nga zyra më e lartë e bashkisë së Tiranës, aktualisht aksionerja e vetme e Klubit të Futbollit “Tirana”.
Gjithça shkoi mirë me pak fjalë. Me përjashtim të një “incidenti” të vogël: fustani i kuq i Ivës. E ardhur nga një shkollë shkencash politike, specializuar për marrëdhënie me publikun dhe e njohur si prezantuese spektaklesh dhe emisionesh televizive, futbolli ishte një fushë krejt e re për Ivën. Aq e panjohur sa zor t’i shkonte ndonjëherë ndër mend se kolegët e saj të rinj nuk do t’u pëlqente edhe aq ngjyra e kuqe, e zgjedhur për atë ditë. “As nuk e mora vesh në fillim se ç’lidhje kishte ngjyra e fustanit tim. Ku ta dija unë se ngyrat e klubit ishin blu”, shton ajo me të qeshur pasi kujton batutën e njërit prej lojtarëve që e kishte thënë hapur se ky “provokim nuk duhej lejuar”. “Megjithatë gjithçka ishte në kuadër të shakasë, të kuptohemi”, kërkon të sqarojë më pas. U premtoi se nuk do të ndodhte më dhe mori të kthehej në zyrë e lehtësuar nga një peshë e panevojshme. Dhe si për të vënë qershinë mbi tortë, vizitorët i kishte përcjellë trajneri Rubio, i cili pasi kishte asistuar takimin, edhe pse nuk e kuptoi gjuhën dhe batutat, kishte marrë vesh aq sa ta porosiste më vete administratorin: “Iva duhet të vijë këtu pas stërvitjes. Do të jetë e vështirë të fus në punë futbollistët tani”.
Një hall që i duhej qarë trajnerit meqë edhe Iva nuk është një zëdhënëse dosido. Duket sikur është bërë e modës këto kohë puna e zëdhënësve, veçse deri tani më të preferuarit i përkasin politikës. Bën lajm e ndonjëherë të bujshëm kur kryeministri, një forcë e re politike apo edhe organizatë çfarëdo prezanton personin që komunikon deklaratat për shtyp para mediave. Diskutohen hiret e vajzave që zënë vendpas foltoree, veshur me kostume të errëta e këmishat e bardha, imazhe që përderisa përzgjidhen me kujdes e promovohen bujshëm, godasin në publik. Një politikë të tillë duket se ka ndjekur edhe kryetari i bashkisë Lulzim Basha, i cili i ka bërë ofertën për punë bijës së humoristit Behar Mera. Dhe Iva i plotësonte të gjitha kushtet: ka mbaruar master për këtë punë, puna si prezantuese i ka zhvilluar aftësitë komunikuese, është vajzë e bukur, linja seksi, flokë biondë e sy jeshilë. Çka përkthehet në një zëdhënëse të mirë.
“Është e vërtetë që tani duket sikur është bërë e modës puna e zëdhënësve, por këto muaj më kanë mësuar se kjo është një punë e rëndësishme. Është imazhi i institucionit që përfaqëson”, thotë 25 vjeçarja. “Nga kjo nuk besoj se gabohem nëse them që zëdhënësit duhet të jenë femra. Me pamje të kuruar, por mbi të gjitha të zonjat në punën që bëjnë. Ka tjetër efekt kur një komunikatë e prezanton për mediat dhe publikun një femër dhe tjetër një burrë”.
E ka të provuar tashmë këtë punë. Sepse ditën e parë kur hapi derën e zyrës edhe Iva nuk ia kishte idenë gazetarëve të sportit, futbollit dhe aq më pak asaj pjesës së marrëdhënieve me publikun që përfshin deri tek organizimi i darkave, pritjeve për ekipet që vijnë nga jashtë dhurata, por edhe imazhin e vetë futbollistëve që detyra ia do t’i promovojë. Në klubin e futbollit “Tirana” asgjë nuk ndodh pa miratimin e saj. Brenda atyre zyrave vendoset se cili do të jetë emri i sportistit që shfaqet në një ekran, arsyeja për të cilën do të jetë prjesë e forumeve mediatike, por edhe veshja, deri në detaje, me të cilën duket të prezantohet.
“Fillimi ishte i vështirë sigurisht, sepse nuk njihja askënd dhe më duhej të merresha me të gjitha. Zgjodha të prezantohesha me secilin prej gazetarëve, por edhe të kërkoja ndihmën e tyre. Isha e re dhe ia kisha nevojën”.
E ka marrë kaq për zemër këtë punë sa tani Iva Mera po e mendon seriozisht investimin afatgjatë në karrierë si specialiste e marrëdhënieve me publikun. Tani më shumë se kurrë ka filluar të kuptojë edhe arsyet pse dikur i ati, humorist i njohur, ngulte këmbë që të mos lidhej me televizion aq sa t’i bëhej pengesë për shkollën dhe profesionin e vërtetë, ose këmbënguljen e së ëmës që sidomos orëve të studimit të mos u hynte në hak për asnjë arsye, qoftë edhe për një spektakël të rëndësishëm, ose ndonjë ofertë të mirë pune. Edhe pse falë mbiemrit që mban, Ivës mund t’i ishin hapur shumë dyer, ka ndodhur e kundërta. Sa i takon televizionit, ato spektakle që ka prezantuar dhe që tek e fundit e kanë bërë një emër të njohur në fushën e show biz-it, i ka arritur vetë, madje me të atin, në një farë mënyre, pengesë. Si rrjedhojë shkollën e ka përfunduar me rezultate që ia vlejnë të krenohet dhe televizionin e ka mbajtur si një punë të dytë me të cilën argëtohej dhe i plotësonte vetes sa mundej ëndrrën për të qenë pjesë e tij.
“Kjo nuk do të thotë se do të heq dorë edhe tani. Kur mora ofertën e punës si zëdhënëse isha e angazhuar në Televizionin Publik, me prezantimin e Perform Fest. Një projekt tre mujor ku fëmijë të talentuar konkurojnë për më të mirin e në të njëjtën kohë, artistë të njohur, të ftuar gjykojnë e mbi të gjitha i mësojnë ata fëmijë se si të bëhen artistë të vërtetë. Është një lloj shkolle impenjative, por më besoni që të fal shumë kënaqësi dhe një eksperiencë ndryshe si prezantuese”. Thënë ndryshe po të kishte në dorë të zgjidhte do të merrej gjithmonë me spektakle që kanë të bëjnë me fëmijët. Për një prezantues kjo do të thotë të jesh i përgatitur për çdo lloj surprize në një transmetim live, por që tek e fundit të stërvit për skenën më shumë se asgjë tjetër. “Sepse ndodh që mbaron kënga, por fëmija nuk do të ikë nga skena, ndodh të harrojë tekstin, të kërkojë mamin dhe babin ose të të punojnë çdo lloj rrengu në një transmetim të drejtëpërdrejtë. Duhet të jesh i përgatitur për të gjitha”.
I ka provuar secilën prej këtyre eksperiencave, madje edhe ato lojrat e vogla të paparashikueshme gjatë Perform Fest, për dy vjet me radhë, e ndoshta kjo duhet të jetë arsyeja që edhe si prezantuese nuk i ka ecur keq. Dikur Iva ka bërë edhe modelen, ka qenë imazh i shumë kompanive të njohura në Tiranë dhe spektaklet kanë ardhur vetëm pas këtij lloj promovimi. Në fillim në televizionin Klan me Nacional Bingo e më pas në Vizion Plus me emisionin “Tuborg Grin Beat” e më vonë me “Next”.
“Këtë të fundit e lashë sepse ndjeva që nuk bënte për mua, nuk e gjeta veten. Nuk u përshtata dot me frymën e punës që ekzistonte aty”, shton. Por nuk mbeti gjatë e paangazhuar meqë transmetimet live të emisionit “Tuborg Grin Beat”, lidhjet e drejtëpërdrejta dhe intervistat në terren ishin të mjaftueshme për të rënë në sy të producentëve, siç ishte Zana Çela, që i besoi produksionin e fundit të saj. “Televizioni do të mbetet pasion im. Sado që babai im nuk ka dashur që ta kem objektivin kryesor të jetës, kam marrë prej tij. Pastaj në fund është dorëzuar edhe ai dhe më ka mësuar ato truket e vogla të shfaqjes në ekran, mimikën, të folurit e rrjedhshëm, mbi të gjitha të llogjikshëm të çdo lloj teksi që është për t’u prezantuar”.
Vetëm se tani diçka e re ka dalë në horizont. Kjo puna e specialistes në marrëdhëniet me publikun i duket njësoj interesante dhe e përditshmja në zyrat e klubit i ka mësuar të tjera truke për të qenë e zonja. “Tani që ne flasim çunat janë në Luksemburg për ndeshje. Duhet të ndjek lojën e tyre dhe të përgatitem për konferencën e radhës”, thotë ajo. Çunat janë futbollistët e klubit dhe nuk janë i vetmi angazhim sepse projekti më afatgjatë është ngritja e një akademie futbolli për mosha të ndryshme, të gjitha në dispozicion dhe funksion të skuadrës së të rriturve. Por kjo ndeshje duket të jetë kryesore përderisa në prag është Euroliga 2012 dhe këto ditë varet fati i skuadrës, nëse do të kualifikohet ose jo. Nëse deri katër muaj më parë futbolli as i interesonte dhe as i kishte idenë se ç’ndodhte në fushë tani Iva i di mirë lëvizjet e secilit, konkurentët dhe përfitimin nga fitoret. Prandaj pret rezultatin për të parë se çdo të ndodhë dhe ndërkohë i duhet të lidhet me secilin prej gazetarëve sportivë për të sqaruar një deklaratë të Rubios të botuar në gazetat spanjolle. Tani kjo është e përditshmja e Iva Merës, e para zëdhënëse që theu tabu dhe që betohet se në fakt bota e futbollit nuk është aq e egër sa perceptohet. Të paktën përballë një femre si ajo ndodh që futbollistët të jenë edhe të sjellshëm. Alida Cenaj Revista Klan