Posts Tagged ‘Muhamet Rrumbullaku’

Policia hap dyert për komunitetin

Written by admin on . Posted in Lajme Shqiperia

TIRANË- Strukturat e Policisë së Shtetit kanë hapur sot dyert për komunitetin, në kuadër të ‘Javës së Vizitorëve të Policisë”, që synon afrimin gjithnjë e më tepër të policisë me komunitetin.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur sot se në zbatim të filozofisë së “Policimit në Komunitet”, me qëllim afrimin gjithnjë e më tepër të policisë me publikun, Policia e Shtetit, nga data 24 deri më datë 28 tetor, ka organizuar “Javën e Vizitorëve të Policisë” në të gjitha strukturat policore, bazuar në vizionin e Policisë “Së bashku për një komunitet të sigurtë”.
Në kuadër të Javës së Vizitorëve të Policisë janë programuar vizita të nxënësve të shkollave të ndryshme apo qytetarëve në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, si dhe strukturave vendore të policisë.

Gjatë ditës së sotme nxënës të shkollës 9 vjeçare “Ali Demi” dhe të shkollës së mesme “Ismail Qemali” vizituan ambientet e brendshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Gjatë vizitës së tyre nxënësit patën mundësi të takonin dhe zv/Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për Sigurinë Publike, Muhamet Rrumbullaku, i cili, duke shprehur kënaqësinë për praninë e fëmijëve në ambientet e strukturave të policisë, u shpjegoi atyre mënyrën e funksionit të Policisë së Shtetit, duke e vënë theksin në faktin se Policia e Shtetit është një institucion i rëndësishëm në shërbim të qytetarëve.

Më pas nxënësit e pranishëm patën mundësi të shikonin ambientet e brendshme të Policisë së Shtetit, si dhe zhvilluan takime me drejtues të tjerë të lartë të Policisë si: Drejtorin e Sigurisë Publike, Drejtorin Kundër Krimit Financiar, Drejtorin e Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar, si dhe me specialistë nga fusha të ndryshme të qarkullimit rrugor, të policisë kufitare etj, dhe me personelin e sallës operative. Gjatë këtyre takimeve nxënësve ju shpjegua mënyra e funksionimit të strukturave përkatëse, pajisjet që ka në dispozicion policia për monitorimin e kontrollin e gjithë territorit, ju dhanë këshilla nga specialistë të qarkullimit rrugor etj. Po ashtu, vizitorëve të ambienteve policore iu shpërndanë dhe materiale të ndryshme promovuese, të përgatitura enkas për këtë javë në bashkëpunim me OSBE-në dhe Misionin PAMECA III.

Këto aktivitete do të vazhdojnë gjatë gjithë javës dhe janë të shtrira në të gjithë vendin. Policia e Shtetit prej tre vitesh, çdo vit në javën e fundit të tetorit, organizon Javën e vizitorëve të policisë në të gjitha strukturat policore, si në nivel qendror, ashtu dhe në nivel vendor.

(d.b/BalkanWeb)

Vrasja e gjyqtarit, prezantohen krerët e rinj të policisë së Vlorës

Written by admin on . Posted in Lajme Shqiperia

VLORE -Në mjediset e Policisë së Vlorës u zhvillua sot ceremonia e prezantimit të drejtuesve të rinj të strukturave të policisë lokale, të bëra zyrtare një ditë më parë nga kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Në një komunikatë zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës, bëhet e ditur se prezantimi i drejtuesve të rinj është bërë nga zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Sigurinë Publike, Muhamet Rrumbullaku.

Në detyrën e Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë u prezantua Drejtues i Parë, Nazmi Kotarja dhe në atë të Zv/Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, Drejtues Helidon Veizi. Gjithashtu, në funksionin e shefit të komisariatit të Vlorës, u prezantua kryekomisar Alfred Elezi.
Ndërkohë, në një prononcim për shtyp një ditë më parë, kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, bëri zyrtare ndryshimet e drejtuesve të Policisë së Vlorës, duke u shprehur se “lëvizjet në Polici janë normale dhe janë në shërbim të përforcimit të rendit”.
Në deklaratën e tij, Burgaj tha se “lëvizjet e funksionarëve më të lartë të policisë së Vlorës, u influencuan edhe nga vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi”.
Nga burimet zyrtare të Policisë lokale, mësohet se ish- drejtuesit e policisë së Qarkut të Vlorës, mes të cilëve edhe ish- drejtori Ylli Metko, janë emëruar në funksione të tjera në radhët e Policisë së Shtetit. ´

(d.b/BalkanWeb)

Air Kosova
Kosmobile - Kosova Mobile
Shpallje