Pas qëndrimit të djeshëm të qeverisë, e cila e mirëpriti vendimin e trupit gjykues në rastin Kleçka për heqjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj deputetit të PDK-së, Fatmir Limaj dhe kthimin e tij në jetën politikë, qëndrim të njëjtë kanë edhe partitë opozitare, të cilat mendojnë se kthimi i Limajt në politikë mund ti kontribuojë vendit.
Edhe pse ende nuk ka përfunduar gjykimi, megjithatë, partitë opozitare e çmojnë martë vendimin e trupit gjykues, i cili hodhi poshtë dëshmitë e dëshmitarit X, duke thënë se, edhe njëherë, po dëshmohet se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër.
Për Ismet Beqirin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kthimi i Limajt në politikë do të thotë vazhdim i punës së tij, pasi që ai nuk po i hyn për herë të parë politikës.
Beqiri përmes telefonit i ka thënë Kosovapress-it se janë disa zhvillime që kanë ndodhur në PDK, por megjithatë, Beqiri thotë se Limaj si luftëtar gëzon një respekt edhe në LDK.
Zotëri Limaj realisht veç e vazhdon, sepse nuk e kemi që i hyn politikës sepse ka qenë realisht në politikë. Sigurisht, si person, është i mirëpritur së pari në subjektin e tij dhe mund të japë kontribut. Për LDK-në, pa dashtë me hy në elaborime të mëdha, sigurisht se si luftëtar ai e gëzon një respekt dhe pse jo mund të jap kontribut edhe në politikë, ka thënë Beqiri.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër, ka thënë për Kosovapress nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi.
Ai ka shtuar se çlirimtarët që luftuan për vendin është dashur të shpërblehen, e jo të akuzohen për luftën çlirimtare që e kanë bërë.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë luftë e drejtë, e pastër dhe në kushtet që është zhvilluar ka treguar se është një meritë e popullit për liri. Prandaj është përkrahur edhe nga bashkësia ndërkombëtare me intervenimin e NATO-s, me mekanizmat e tjerë të cilët kanë ndikuar që Kosova ta fitojë lirinë e vet. Duke e pas parasysh krejt këtë periudhë, ne e konsiderojmë se ata që kanë kontribuar është dashtë të shpërblehen për atë që kanë bërë për vendin dhe të ndihen mirë që janë në një shoqëri demokratike, të lirë dhe në një shtet të pavarur dhe sovran, ka thënë ai.
Isufi ka thënë se ndërhyrja në proces, me kualifikime të tilla të fabrikuara nga Beogradi, i ka bërë dëm proceseve që kanë ekzistuar në Kosovë dhe po ashtu u ka bërë dëm edhe drejtpërdrejt edhe individëve, familjeve të tyre dhe shoqërisë në përgjithësi.
Nënkryetari i AAK-së ka shtuar se nëse dikush duhet të akuzohet për krimet e luftës, ajo është Serbia e jo çlirimtarët që luftuar për çlirimin e vendit.
Sa i përket kthimit të Limajt në politikë, Isufi ka thënë se ka nevojë për njerëz të cilët me idetë dhe kreativitetin e tyre mund ti japin fuqi skenës politike dhe institucionale në vend.
Skena politike e cila ka nevojë për njerëz të cilët mund ti japin fuqi skenës politike dhe institucionale, mund edhe me idetë tyre, me kreativitetit e tyre ti kontribuojnë demokracisë në Kosovë. Prandaj për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës çdo veprim i drejtë është i mirëseardhur dhe dëshirojmë që njerëzit vërtet ta jetojnë lirinë ashtu siç e kanë meritu, ka thënë ai.
Për Dardan Molliqaj nga lëvizja Vetëvendosje, të gjitha gjykimet e pasluftës të ushtarëve të UÇK-së kanë qenë të padrejta dhe të papranueshme për Vetëvendosje.
Të gjitha gjykimet e pasluftës të ushtarëve të UÇK-së, qofshin ato nga gjykata vendore, ndërkombëtare apo edhe jashtë Kosovës, e kam fjalën për gjykatën e Hagës edhe për gjykatat e UNMIK-ut, gjykatat e EULEX-it tash, të gjitha këto inicime dhe raste kanë qenë të padrejta dhe të papranueshme, respektivisht për Vetëvendosjen. Sigurisht se edhe rasti i fundit ka qenë në vazhdën e këtyre rasteve që janë dhe mendojmë se lufta e UÇK-së ka qenë e shenjtë, e drejtë çlirimtare dhe ka qenë luftë e domosdoshme për ta çliruar vendin nga një okupator qysh ka qenë Serbia, ka thënë ai.
Ndërsa lidhur me kthimin e Limajt në politikë, Molliqaj ka thënë se ende nuk e kanë parë qëndrimin e tij, por ka shtuar se qëndrimi i Limajt pas lirimit nga Haga nuk ka qenë i mirë dhe nuk i ka ndihmuar Kosovës për shkak se ka qenë pjesë e një qeverie dhe e një subjekti politik e cila vetëm sa e ka rënduar jetën ekonomike dhe politike në vend.
Ne nuk e kemi parë ende qëndrimin e zotëri Limajt. E kemi pa qëndrimin e tij pas Hagës, nuk ka qenë qëndrim i mirë dhe nuk i ka ndihmuar Kosovës qëndrimet e tij politike, për shkak se ka qenë pjesë e një qeverie dhe pjesë e një subjekti politik, i cili vetëm sa e ka rënduar situatën ekonomike-politike në vend edhe tash nëse do të vazhdojë me të njëjtat gjëra, sigurisht se kjo nuk do ti ndihmojë Kosovës në kuptimin e politikës, ka thënë ai. /kosovapress/
Shpërndaje: