TIRANE-Anglia do të ndeshet sot në orën 18 ndaj Francës, në atë që shihet si beteja më e fortë e grupit D të kampionatit europian. Britanikët vijnë në këtë takim pas problemesh të shumta me dëmtimet, por edhe pas polemikave të krijuara për lënien jashtë të Rio Ferdinand. Megjithatë, një lajm që i ka habitur të gjithë ditën e djeshme ka qenë ai se Federata Angleze ka përgatitur kthimin e ekipit kombëtar që më 20 qershor, një ditë pas ndeshjes së fundit në grup ndaj Ukrainës. “Është një procedurë standarte”, kanë thënë zyrtarët e Federatës për “The Sun”. Gjithsesi, procedura të tilla nuk i japin aq shumë besim skuadrës së Hoxhson edhe pse anglezët duket se janë munduar që të mos i lënë asgjë rastësisë përsa i përket udhëtimit të ekipit. “Është një vendim i çuditshëm, nëse do të isha futbollist nuk do të më kishte pëlqyer diçka e tillë”, deklaroi ish-mesfushori i Anglisë Alan Mullery.
Hoxhson
Megjithë prenotimin e kthimit, trajneri i Anglisë Roi Hoxhson është i mendimit se skuadra e tij do të arrijë të ecë larg në Europian. Duke folur në prag të ndeshjes me Francën, ai është shprehur se në një sfidë të tillë, më shumë rëndësi se gjithçka ka rezultati. “Kanë qenë tre javë intensive, në të cilat jam ndjerë pjesë e këtij grupi. Futbollistët ma bënë më të lehtë punën, – u shpreh Roi Hoxhson. – Është e çuditshme që Anglia nuk cilësohet një skuadër e madhe meqë ka nga viti 1966 që nuk fiton asgjë. Ne e nisim këtë turne si një prej 16 skuadrave që mund ta fitojë”, shtoi ai. Hoxhson ka shprehur edhe njëherë besimin te 23 futbollistët që ka thirrur si edhe faktin se për momentin Anglia nuk ka asnjë dëmtim. “Që të mos bëjmë një Europian anonim, duhet të luajmë siç dimë të bëjmë, pasi kemi një skuadër të mbushur me futbollistë yje në klubet e tyre. I kam parë çdo javë në kampionat dhe shpresoj që të rikonfirmohen edhe ndaj Francës”, tha më tej Roi Hoxhson.
Franca
Në lidhje me Francën, Roi Hoxhson foli me respekt të madh, duke e konsideruar atë një prej ekipeve më të forta të kontinentit. “Kemi shumë respekt për anglezët, por e di që futbollistët e mi besojnë shumë tek aftësitë e tyre, kështu që të shohim si do të shkojë, – tha trajneri i kombëtares angleze. – Do të jetë një ndeshje impenjative, ndaj një skuadre që gëzon një formë mjaft të mirë dhe që nuk humbet prej 21 ndeshjesh. Por, në Europian shpesh nuk ka rëndësi forma, por mënyra si e luan një ndeshje”, shtoi Hoxhson. Shumë optimist edhe kapiteni Xherard: “Shpirti i grupit është fantastik dhe mezi presim të nisim aventurën tonë. Jemi gati të nde-shemi me Francën. Vapa? Nuk ka rëndësi, sepse do të jetë njësoj për të dyja skuadrat”, shtoi ai.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
