Thaci: Beogradi prapa strukturave paralele po strehon vrasësit
PRISHTINE- Kryeministri Hashim Thaci akuzon Beogradin se është prapa strukturave paralele në veri dhe po strehon vrasësit e policit Enver Zymberi.
Akuzat e kryeministrit Thaci janë bërë në seancën e sotme plenare të kuvendit të Kosovës, ku raportoi para deputetëve edhe për aksionin e forcave të sigurisë që kanë zhvilluar sot në veri.
Duke iu referuar të dhënave të institucioneve të rendit të Republikës së Kosovës, kryeministri tha se “rezulton se këto strukturat kriminale po shndërrohen në struktura paramilitare.” Ndërsa paralajmëroi se “ditët e këtyre strukturave, janë të numëruara”, ndërsa i bëri apel Beogradit të mos strehoje vrasësit e policit të Kosovës dhe të respektojë fletë arrestet ndërkombëtare.” raportojnë mediat kosovare.
Lidhur me aksionin e sotëm në veri, kryeministri tha se konfiskuar evidenca te rëndësishme por edhe armë të ndryshme që janë përdorur në veprimet e strukturave kriminale.
“Organet e drejtësisë- tha kryeministri Thaçi,- kanë përgatitur edhe një numër të kallëzimeve penale kundër një numër personash që kanë cenuar sovranitetin e Kosovës prej 12 vitesh.
AKSIONI NË VERI
Policia speciale e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, nisi sot në mëngjes një operacion në pjesën veriore të Kosovës, në kuadër të hetimeve për vrasjen e policit të Kosovës, Enver Zymberi. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i EULEX, Nikolas Hauton. Zoti Hauton njoftoi se hetimet për vrasjen e policit po i zhvillon EULEKS-i dhe policia e Kosovës. Sipas tij, paqeruajtësit KFOR-it e kanë mbështetur policinë e EULEKS-it në këtë hapësirë të tensionuar, ku pjesëtarët e serbëve refuzojnë të bashkëpunojnë me autoritetet ndërkombëtare dhe nuk e njohin qeverinë e Kosovës.
(s.g/balkanWeb)
![]()
Tags: Bashkimit Evropian, Enver Zymberi, EULEKS, EULEX, KFOR, Nikolas Hauton, Zoti Hauton
Trackback from your site.



