UEFA, tjetër dosje për trukimet në futbollin shqiptar
TIRANE- Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë një tjetër dosje nga UEFA në lidhje me një numër të madh ndeshjesh të trukuara në kampionatin shqiptar dhe në Kupën e Shqipërisë.
Pikërisht trukimi i ndeshjeve ka qenë një nga temat kryesore të diskutimit në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Federatës ditën e sotme. Raporti mbahet sekret dhe ai është në dorën e presidentit Duka, por burime zyrtare nga FSHF kanë bërë të ditur se numri i ndeshjeve të dyshuara këtë herë është më i madh se ai para dy muajve. Ky numër ende nuk bëhet i ditur, por fakti që UEFA sjell dy raporte në një distancë të afërt kohore nga njëri-tjetri, tregon njollosjen e futbollit shqiptar, pasi mësohet se në skema manipulimi janë përfshirë të gjitha klubet e Superligës. Në mbledhjen e sotme, Federata vendosi që në Asamblenë e datës 22 shkurt të ngrejë një Komision Etike, që do të jetë mbi Komitetin Ekzekutiv dhe do të merret posaçarisht me çështjen e trukimit të ndeshjeve.
Ndërkohë, për momentin, hetimi i raportit të ardhur nga UEFA do të shqyrtohet nga dy inspektorët e Komisionit të Disiplinës. Presidenti Armand Duka ndërkohë ka deklaruar se pavarësisht akuzave të ditëve të fundit, kombëtarja është e pastër dhe e paprekur nga manipulimet për të cilat flitet në përgjimet e policisë greke.
(ma.ar/A. Latifi/BalkanWeb)
![]()
Tags: FSHF, Komision Etike, Komitetin Ekzekutiv, Komitetit Ekzekutiv, Presidenti Armand Duka, UEFA
Trackback from your site.



